Kombetarja

“Air Albania Stadium”, FSHF shkel kushtet që vendosi vetë

Stadiumi i ri Kombëtar do të mbajë emrin e “Air Albania”. Të paktën kështu raporton Top Channel në një kronikë të transmetuar këtë të shtunë, ku jep edhe detaje nga marrëveshja, që thotë se i mungon vetëm firma e të zezës mbi të bardhë.

Por, nëse gjithçka është e vërtetë, atëherë Federata Shqiptare e Futbollit ka shkelur të paktën njërin nga disa kushtet e vendosura prej vetë asaj në tenderin për emrin e stadiumit.

Në korrik, FSHF publikoi vendimin për të dhënë “me qira” emrin e stadiumit dhe së bashku me këtë edhe kushtet bazë që duhet të plotësonin kompanitë pjesëmarrëse në këtë tender.

Deklarata e FSHF për kushtet që duhet të përmbushte kompania fituese që do t'i vinte emrin Stadiumit Kombëtar

Kushti i parë bazë ishte që kompania duhet të kishte një xhiro vjetore prej të paktën 10 milionë euro në vit. Si e plotësoi “Air Albania” këtë kusht të FSHF-së, kur për 2018 nuk kishte nisur ende aktivitetin e saj dhe që për më tepër edhe për 2019 vështirë se në bilancet e veta të kapë këtë shifër?

Kushti tjetër kërkon që kompania të gëzojë një emër dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar. “Air Albania” ka pak kohë në treg, që nuk duket e mjaftueshme për të krijuar një reputacion të rëndësishëm, as kombëtar dhe as ndërkombëtar.

Mënyra e vetme sesi “Air Albania” mund të ketë plotësuar këto dy kushte është nëse në tender ka dorëzuar bilancet dhe “reputacionin” e kompanisë turke “Turkish Airlines”, që zotëron gjysmën e aksioneve të saj.

Më anë të një njoftimi të shpërndarë për mediet muaj më parë, Federata Shqiptare e Futbollit pati njoftuar se kishte hapur garën për të pranuar ofertat për kompanitë e interesuar që duan të blejnë të drejtën e emrit të stadiumit të ri. Afati i vendosur nga FSHF ishte fillimisht data 15 gusht, por deri më sot nuk ka ende një njoftim zyrtar se si shkoi ky proces. Gazeta “Si” u interesua më herët pranë FSHF për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur me ecurinë e procesit, por personi përgjegjës, Bardhyl Minxhozi nuk pranoi të jepte asokohe shumë detaje.

Në komunikimin e tij me Gazetën “Si”, Minxhozi tha se debati që ndoqi përzgjedhjen e emrit të ri të stadiumit ishte një çështje që i tejkalonte kompetencat e tij dhe se procesi ishte krejt normal. “Ka një debat që është jashtë kompetencave të mia dhe që ka shkuar më shumë në një drejtim politik. Ne e konsiderojmë këtë proces korrekt dhe një gjë që është bërë edhe më parë në vende të huaja”, pati thënë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës.

Mungesa e informacioneve shterruese nga FSHF, ngjalli debat; më së shumti i nxitur edhe nga numri 2 i qeverisë shqiptare Erion Braçe. Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ku nuk patën munguar akuzat dhe ironitë karshi presidentit të FSHF-së, Armando Duka, Braçe pati shprehur hapur kundërshtinë tij për emërtimin e stadiumit të ri kombëtar me një emër komercial.

Kur debati u ndez edhe më shumë dhe reagimet u bënë më të ashpra në publik, administratori i stadiumit, Bardhyl Minxhozi doli më një deklaratë për mediat.

“Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për Stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar. FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërine e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe Tottenham. Ekspertët vlerësojne që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, “shet” më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:
Amex Stadium- Brighton, Etihad Stadium – Manchester, Emirates Stadium – London, Allianz Arena – Munich, Mercedes-Benz Arena – Stuttgart, Orange Velodrome -Marseille, MetLife Stadium – Neë Jersey USA, FedExField – Maryland USA, Bank of America Stadium – North Carolina USA, AT&T Stadium – Texas, Gillette Stadium – Massachusetts USA”, deklaronte në 28 gusht FSHF në faqen e saj zyrtare.

Sipas FSHF, “stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij, do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”. “Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara “tifozo-pushtetare”, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e rradhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike”, deklaronte në atë kohë FSHF.

Por, në një prononcim për Gazeta “Si”, Braçe do të konfirmonte qëndrimin e tij, se emri i stadiumit të ri që po shkon drejt përfundimit do të duhet të mbetej i pandryshuar, (Qemal Stafa). “Qeveria flet ose me vendime ose nëpërmjet zëdhënëses. Qëndrimi im pastaj është ai që kam shprehur publikisht! Qemal Stafa është. Qemal Stafa përfaqëson dhe Qemal Stafa duhet të jetë gjithmonë! Siç është tribuna e ruajtur!”, u shpreh asokohe Braçe.

Zëvendëskryeministri akuzonte asokohe se procesi i nisur nga FSHF për t’ia dhënë emrin një kompanie private nuk është i bazuar në asnjë shkresë zyrtare.“Nuk di në e ka të drejtë apo jo Federata, se e shkruar kund në letrat e saj nuk është. Por ata po vendosin. Ndërkohë po të shohësh reklamat edhe një kompani tjetër po reklamon “Arena Center” nëpër rruge si qendër tregtie e argëtimi”, do të shprehej Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë