Futboll

“Air Albania” pret finalen e parë të “Conference League”. Duka: Historike për futbollin

Për herë të parë në histori Tirana dhe Shqipëria do të organizojnë një finale europiane të futbollit. ‘’UEFA Europa Conference League’’, turneu i tretë për nga rëndësia i UEFA-s që do të fillojë në verën e vitit 2021, do të ketë si pritës të finales së parë stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

‘’Air Albania” ishte kandidat për zhvillimin e Superkupës së Europës, së bashku me Belfastin dhe Helsinkin, por në fund u arrit një konsensus dhe si rrjedhojë “Air Albania Stadium” përfitoi finalen e këtij kompeticioni, i cili shumë shpejt do të shndërrohet në aktivitetin kryesor europian edhe për klubet shqiptare. “UEFA Europa Conference League” ishte projektuar për të nisur në këtë vit, por për shkakun e pandemisë pritet që të fillojë në 2022.

Do të jetë një turne me 32 ekipe që do të ndahen në 8 grupe me nga katër skuadra. Më pas do të ketë një raund të 1/16, të 1/8, 1/4 dhe deri në finalen e madhe. Kompeticioni i ri do të jetë i përbërë nga 141 ndeshje të shpërndara në një hapësirë kohore prej 15 javësh, ekzaktsisht sa është Uefa Europa League. Fituesi i këtij kompeticioni të ri do të sigurojë një biletë direkt për në sezonin pasardhës të Europa League. Ky kompeticion i ri do të luhet ditën e enjte. Liga e Kampionëve nuk ndryshon, ndërsa Europa League do të duhet që të përshtatet në orare, në mënyrë që mos të ketë përplasje.

Kjo kupë e tretë që krijohet nga Uefa do të jetë një shans më shumë për klubet shqiptare që të luajnë në arenën ndërkombëtare. Për ekipin kampion dhe nënkampion do të shtohen ndjeshëm shanset që të marrin pjesë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni të ri, teksa rruga për në Ligën e Kampionëve dhe Europa League pritet të bëhet disi më e vështirë.

Menjëherë pas mbledhjes Presidenti Duka ka përshëndetur këtë ngjarje të madhe dhe ka falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur sjelljen e një finaleje europiane në Shqipëri.

Tre dhjetor 2020, një tjetër datë historike për futbollin dhe për Shqipërinë! Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi t’i besojë FSHF-së organizimin e finales së parë të kompeticionit më të ri europian ‘UEFA Conference League’ në vitin 2022 në stadiumin ‘Air Albania’.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme për futbollin, Tiranën dhe Shqipërinë! Për këtë duhet të ndihemi të gjithë krenarë. Është gjithashtu edhe një dhuratë e çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, që më në fund mund të gëzojnë pas shumë peripecish të kaluara, që nga tërmeti e deri te pandemia Covid-19 që po përjetojmë. Urojmë që ky lajm t’i hapë rrugën lajmeve të tjera pozitive për shqiptarët.

Dua t’i garantoj se ne do të bëjmë maksimumin për një organizim perfekt të finales. Shqipëria dhe shqiptarët shquhen për mikpritje, të cilën do të kenë mundësi ta demonstrojnë akoma më shumë në këtë rast.

Ju mirëpresim në Tiranë me shumë kënaqësi në maj 2022!”, – shkruan Presidenti Duka në reagimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë