Nga Gazeta 'Si- Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka përjashtuar nga seanca parlamentare deputetin Agron Shehaj pasi ky i fundit refuzoi të lironte foltoren.
Spiropali u shpreh se radhën për të folur e kishte kreu i PD-së, Sali Berisha, duke e quajtur Agron Shehaj “një kopje e keqe e origjinalit”, referuar bllokimit të foltores nga opozita.
"Deputeti Sali Berisha ka fjalën, apo të vijojmë me folësit e tjerë. Askush nuk mund të bllokojë foltoren. Uluni në vend, zhbllokoni foltoren. Ju tërheq vëmendjen, nëse e përsërisni ju jap vërejte. Mos krijoni skena të kota, do ju heq të drejtën e fjalës.
Lësho foltoren se do ju përjashtoj nga seanca. Po qe për revolucion ta kalojnë ata. Fjalën ia kam dhënë një deputeti, s’mund ta marrësh dot fjalën me dhunë. Për të qenë kopje të këqija të disa të tjerave janë më mirë origjinalët. Më mirë dëgjojmë origjinalët se sa ju", tha Spiropali.
Edhe pas përjashtimit, Shehaj refuzoi të largohej nga foltorja dhe kryeparlamentarja ndërpreu senacën për 5 minuta.
Ai bllokoi foltoren pasi Spiropali nuk i dha fjalën për replikë me ministrin Malaj. Shehaj ishte jashtë kur u përmend nga Malaj.
Shehaj vazhdoi të mbajë bllokuar Kuvendin, edhe pas përjashtimit nga seanca plenare. Ai nuk la të flisnin as kolegët e tij të opozitës, Agron Gjekmarkajn dhe Jorida Tabakun ndërkohë që u futu live në TikTok.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi gardës të ndërhynte duke e larguar nga salla e Kuvendit, por Sali Berisha u shpreh që deputeti Shehaj të mos prekej.
Pjesë nga debati
Elisa Spiropali: Garda të marrë masa të shoqërojë deputetin
Sali Berisha: Mos e prek deputetin!
Elisa Spiropali: Ta shoqërojnë në kuptimin si shoqërues. Dilni nga seanca Shehaj. Nuk e përcakton ti turpin, je i përjashtuar. Nuk është seanca juaj e TikTok.
Po mbani peng 140 deputetë. Gjekmarkaj keni fjalën ju, mos lejoni që një deputet që flet me vete se mendon se votat merren duke folur me vete nga foltorja e TikTok dhe se ka idenë fare si merren votat.
Agron Gjekmarkaj: Po lironi foltoren
Elisa Spiropali: Dilni nga salla
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.