Ekspozite

Agron Hoti, e kthen Shqipërinë në vendin me pikturën më të madhe në botë

Nëse qëllonte gjatë verës të kaloje nga Sheshi “Italia” në Tiranë, nuk kishte si të mos binte në sy një çadër e madhe e bardhë e instaluar në gjysmën e sheshit. Por të paktë ishin kalimtarët të cilët e vinin re se çfarë realisht po ndodhte brenda saj. Gjatë verës ky shesh është vend koncertesh, ndaj shumë njerëz e ngatërronin praninë e asaj çadre. Por çadra e kishte një funksion, ndoshta dhe mision.

Agron Hoti, artisti shqiptar me banim në Verona të Italisë, përgjatë katër muajve të verës do të realizonte në atë çadër, pikturën më të madhe në botë të realizuar ndonjëherë e titulluar “Everflow”. Kjo pikturë gjigande në përmasat 7600 metër katror u realiza në mënyrë që të ekspozohej në fushën e stadiumit “Air Albania”. Duke i dhënë formën e një lumi që rrjedh gjithmonë, Hoti thotë se vepra është dedikim për lumin Vjosa.

Agron Hoti, piktor dhe artist i artit bashkëkohor, është si shumë nga ata emigrantë që ia dolën në botë. Nga një vend në tjetrin, nga një shtet në tjetrin duke u përballur me gjuhë dhe kultura të ndryshme por vetëm me një synim, të arrijnë atë çka ata kishin aspiratën dhe qëllimin e jetës. Me artin e tij Agroni ka arritur të pushtojë që nga tempujt romakë të Veronas e deri në grataçelat e Dubait.

Vepër e Hotit në Dubai

Në një intervistë për GazetaSi, ai rrëfen se qëllimi i realizimit të pikturës gjigande nuk ka qenë ndonjë rekord Guinnes, përkundrazi duke e konceptuar si të tillë, ai mendon se piktura kthehet në objekt me përllogaritje dhe e humb sensin artistik të saj. Gjithashtu zbulon se kjo pikturë gjigande iu kërkua të realizohej në Dubai, por ai e refuzoi vetëm e vetëm që ta realizonte në vendin e tij, në Shqipëri.

Projekti “Everflow” i realizuar në “Air Albania”

Ai shpjegon dhe ndjesitë e këtij rikthimi në Shqipëri si artist pas 33 vitesh.

“Ëndrra ime për të realizuar veprën më të madhe ndonjëherë të realizuar në botë, u konkretizua në Shqipëri. Ishte bukur të kthehesha pas 33 vitesh në vendin tim, pothuajse i realizuar nga ëndrrat që kisha marrë me vete në një bllok të vogël, e duke shëtitur të gjithë botën me penela në duar. Dhe sërish  me penela realizova në Tiranë një pikturë monumentale 7600 metër katror, ku e prezantova në Stadiumin Kombëtar. Një ngjarje pothuajse e papërsëritshme e këtij lloji. Sukses i padiskutueshëm dhe kënaqësi shpirtërore e pafund pasi një pjesë e të ardhurave do të destinohen për bamirësi, një temë që unë e kam përsëritur edhe në Romë, edhe në Verona.

“Oferta që mu bë nga Dubai ishte shumë e lartë në terma ekonomikë, por në art, shpesh, jo çdo gjë është paraja”, thotë ai.

Gjatë realizimit të veprës “Eklips” në Verona

Athinë-Verona-Dubai, gjithçka nis nga Mamurrasi

Kjo është vetëm një copëz  e historisë së Agronit pasi fillimet siç na rrëfën ai kanë qenë të vështira.

“Unë jam me origjinë nga Lura dhe kam lindur në Mamurras ku dhe kam kryer shkollën e mesme. Ëndrra ime ishte të vazhdoja për pikturë, por burokracia e sistemit asokohe nuk ma lejoi. Që në moshën 15-vjeçare kam marrë pjesë në ekspozita me profesionistë të asaj kohe duke fituar dhe çmime”, thotë artisti.

Rënia e murit të Berlinit e gjen Agronin në kufi me ish-Jugosllavinë, atje ku kryente shërbimin ushtarak.

“Edhe në ushtri për dy vite kam pasur vetëm penela në duar, armë nuk më kishin dhënë fare. Kthehem në shtëpi dhe qyteti im ishte bërë sikur kishte dalë nga lufta. Gjendja ishte e tmerrshme, të rinjtë shumë ishin larguar, të tjerët prisnin dita-ditës të iknin. Të njëjtin fat do të kisha dhe unë. Morëm malet e Greqisë disa herë, të zbathur, të uritur dhe pa asnjë destinacion preçiz. Vetëm do të iknim, se ku, vetëm Zoti e dinte! Deri sa arrij në Athinë”, thotë Agroni.

Vizitën e parë e bëri në Akropoli, të cilin e kishte studiuar në shkollë dhe kurioziteti ishte shumë i madh. Mbas shumë peripecish jeta e tij merr një rrjedhë normale dhe nis e merret me skulpturë, kryesisht me ikona bizantine. Deri në vitin 2000, në fakt, kur mendon se Perëndimi i vërtetë është tjetërkund. Ishte Italia “toka e premtuar” artistike e tij sepse rilindja italiane dhe arti i madh i asaj kohe e ndillte gjithmonë drejt saj. Ai arrin në Itali me anije ilegalisht dhe prej atëherë, dëshira e tij për të arritur Perëndimin mori jetë.

“Ëndërra ime u realizua dhe ishte kjo ëndërr që mu kthye në profesion. Kam marrë pjesë në ekspozita pothuajse në të gjithë botën dhe ndoshta edhe sukseset nuk më kanë munguar”, vijon ai.

Referuar suksesit të arritur dhe asaj çka e bën Agron Hotin një artist të kërkuar ndërkombëtarisht ai thotë se kjo vjen për asye se ndoshta përherë ka guxuar të eksperimentojë në shumë rryma, me një sukses të padiskutueshëm. Figurativ, abstrakt dhe në art konceptual.  

“Ndoshta të qenit “autodidakt” më ndihmon të kem më shumë kuriozitet dhe guxim njëkohësisht”, thotë Hoti.

Ai rrëfën gjithashtu dhe fillimet e vështira për t’u konsoliduar jo vetëm si emër, por dhe për të gjetur një vend fizik, një adresë ku artdashësit ta gjenin por dhe të shikonin ekspozetë e tija. 

“Në Verona hapa studion time dhe aty pata mundësinë të përballesha direkt me artdashësit italianë. Fillimi ishte i vështirë, kuptohet. Por sot posedoj edhe galerinë time në zemër të qytetit.

Raporti i tij tashmë me Veronën dhe veronezët thotë se është një raport i ngushtë, dashamirës dhe vlerësues.

“Më duket sikur kam lindur në këtë qytet të mrekullueshëm. Gëzojmë një respekt të madh me gjithë familjen. Ky komunitet nuk kurseu asgjë për ne dhe unë çdo ditë mundohem ta zbukuroj sa më mirë me ngjyrat e mia që janë arma ime më e fortë”, thotë ai.

Ai zbulon se është i pari piktor në histori që ka pikturuar brenda Arenës së Veronas, një pikturë 400 metra katrorë e titulluar “Eklipsi” e cila pati sukses absolut.

“Eklipsi” në Arenën e Veronës

Gjithashtu Agroni njihet dhe për pikturën të cilën e realizoi enkas për futbollistin Cristiano Ronaldo, një dedikim për karrierën e tij të gjatë.

“Realizova një vepër interesante të historisë së Ronaldos, momentet më pikante të sukseseve të tij në futboll. Piktura e Ronaldos është një përmbledhje e 5 Champions League që ka fituar ai. I kam përmbledhur të gjitha në një tablo, janë të 5 kupat aty po të shohësh me afërsi. Nuk munda ta takohesha nga afër me të sepse ishin masat anti-COVID. Isha përballë, por ishte e pamundur t’i afroheshe”- thotë ai

Pyetjes se a ka pasur kontakte apo komunikim me artistët shqiptarë Hoti i përgjigjet me rezerva.

“Për piktorët shqiptarë që nuk patën kurajon të më vijnë në Tiranë dhe të më vizitojnë për 4 muaj që punova në Sheshin “Italia”, më mire mos ta hapim si bisedë”, e mbyll me shpoti intervistën e tij ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë