Gazeta Si - Gert Shehu, 31-vjeçari i cili goditi me grusht gjatë protestës së opozitës në 6 dhjetor ish-kryeministrin Sali Berisha, është lënë në burg.
Masa e sigurisë, autorit të sulmit fizik iu komunikua në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ndodhet ende dhe po mbahet aty nën kujdesin e mjekëve, pasi prej të martës po kurohet pas goditjeve nga truprojat e Berishës.
Avokati mbrojtës kërkoi masë më të butë sigurie, si "arrest në shtëpi" ose "shtrim të detyruar në spital". Por gjykata nuk pranoi këtë kërkesë dhe vendosi "arrest në burg" ndaj të riut.
Ndaj tij aktualisht rëndojnë dy akuza, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosje me dashje”, për të cilat organi akuzës kërkoi dje masën e sigurimit ‘arrest me burg’.
Në një prononcim për mediat, avokati mbrojtës i Shehut ka deklaruar se kanë paraqitur një kërkesë që të bëhet një akt-ekspertimi më i zgjeruar që të përcaktohet gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit Shehu.
Pavarësisht këmbënguljes së hetuesve për të kuptuar arsyet që shtynë 31-vjeçarin për të kryer atë akt të paprecedentë, duket se i riu nuk ka shfaqur pendesë për veprimin, si dhe ka vijuar të japë qëndrime kontradiktore.
Sakaq, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar administrimin e kartelës mjekësore të Shehut për të parë të gjithë historikun shëndetësore të të riut.
Aktualisht autori i sulmit ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po mjekohet pas goditjeve që mori nga mbështetësit e Berishës pasi ai kreun aktin e dhunshëm.
Grupi hetimor ka sekuestruar me dhjetëra orë pamje filmike të lëvizjeve të 31-vjeçarit ditët e fundit për të zbuluar se më kë është takuar. Ndërkohë, Gert Shehu rezulton që të jetë person me precedentë të mëparshëm penal sipas policisë.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga mjeku psikiatër Sadik Lala, i cili konfirmoi se Sheu është pacient i tij dhe se nuk merrt rregullisht ilaçet e rekomanduara.
Në vitin 2017, ai është dënuar është gjobitur për rrahjen e një personi. Po ashtu është ndaluar nga policia edhe për prishje të qetësisë publike.
Ai ka goditur me grushte dhe sende të forta rojën e një palestre në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë para 5 vjetësh, duke shkaktuar dëmtime.
Ngjarja ka ndodhur në gusht 2017, kur Shehu ka shkuar në ambientet e palestrës, është konfliktuar me rojën, i cili i kishte kërkuar të largohej pas një konflikti të çastit. Në këtë rast, i riu e ka qëlluar me grushte, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Pas veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës që Shehu të shpallej fajtor për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje dhe në fund u dënua me 200.000 lekë gjobë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.