Futboll

Agjentët kanë thyer sistemin, po kontrollojnë futbollin dhe miliardat

Agjentët kanë treguar në mënyrë të përsëritur se pa shumë sforco mund të përfitojnë shumë në një terren sportiv të paqëndrueshëm si ai i futbollit, më mirë se ata që e ushtrojnë këtë sport.

“Tani është koha juaj për të futur gjak të ri, largoni modelet e vjetra nga ekipet tuaja. Për ju do të jetë më të lirë dhe më e sigurt për t’i angazhuar futbollistët nëpërmjet meje. “Kështu shprehej JP Campbell në një reklamë për Athletic News në vitin 1891.

Campbell ishte një nga agjentët e parë të futbollit, i cili u kontraktua nga klubet angleze për të gjetur  lojtarë në një moshë të re dhe që mund të bënin diferencën. Campbell ishte një vizionar në njohjen para kohe të asaj që do të ndodhte kur futbolli u bë profesion në Angli. Duke filluar që nga viti 1885, ai filloi punën si agjent, që kishte për qëllim lehtësimin lëvizjeve të lojtarëve nga një klub në një tjetër. Megjithatë edhe pse vizionar, Campbell nuk do mund ta kishte menduar se do të arrinte dita që futbolli të kontrollohej nga superagjentët.

JP Campbell

Në merkaton verore të vitit 2017 dhe atë të janarit të vitit 2018, klubet angleze në pesë divizionet kryesore, paguan 257 milionë paund për agjentët. Vetëm Liverpool ka shpenzuar 26.8 milionë paund për agjentët. Në të gjithë Europën në vitin 2017, agjentët fituan 1.3 miliardë paund. Agjentët kanë një sjellje të veçantë. Në fakt, ata kanë aftësinë për t’u bërë bashkë për çështjet që i’u interesojnë, duke fituar antipatinë e tifozëve dhe të federatave të futbollit, por edhe nga Uefa e Fifa gjithashtu. Shembulli i fundit për metodat që përdorin agjentët vjen nga David Manasi, agjenti i yllit të Real Madrid, Gareth Bale. Ai u pezullua për tre muaj nga Federata Angleze e Futbollit dhe u gjobit me 50,000 paund, pasi kishte bërë kontratë me një lojtar nën 16 vjeç, gjë që është e ndaluar.

Gati një shekull e gjysmë pas reklamave të Campbell në Athletic News, agjentët janë një pjesë shumë e rëndësishme e ekosistemit të futbollit. Rëndësia e tyre u krijua dhe rrit më shumë për dy arsye kryesore. Së pari, vendimi i Bosman në 1995, i cili lejoi lojtarët europianë të largohen nga klubet e tyre si një transferim i lirë, vetëm në fund të kontratës së tyre. Së dyti, globalizimi dhe hiperkomercializimi i futbollit, të cilat u përshpejtuan për shkak të televizionit satelitor dhe dy kompeticioneve të mëdha futbollistike që u krijuan në vitin 1992, që ishin Premier League dhe Champions League.

Tre nga agjentët më të njohur në tregun e futbollit Mino Raiola, Jonathan Barnett dhe Jorge Mendes.

Këto ndryshime e kanë transformuar krejtësisht sasinë e parave në elitën e futbollit anglez. Këtu vlen të përmendim vetëm vlerën vjetore që vjen nga të drejtat televizive të Premier League, që ka shkuar nga 51 milion paund në vitin 1995, në 2.75 miliardë paund në sezonin e fundit. Më shumë para, më shumë mundësi për lojtarët që të lëviznin jashtë vendit dhe të kërkonin kontrata më të mira. Filloi një luftë parash, ku lojtarët më të mirë në Europë nxisin klubet më të mëdha kundër njëri-tjetrit.

Lojtarët tashmë në lëvizjen e tyre nga një klub në një tjetër, e bëjnë jo vetëm për shkak të trofeve që mund të fitojnë, por edhe nga paratë që do mund të marrin dhe për të ndihmuar në këtë çështje hyn në punë agjenti. Rritja e tarifave të agjentëve ishte e pashmangshme, duke pasur parasysh shifrat gjigante të parave që qarkullojnë çdo sesion transferimesh, apo kur bëhen rinovimet e kontratave.

Vetëm sa për shembull, Manchester City ka shpenzuar për të blerë lojtarët e tij të repartit të mbrojtjes, 225 milionë paund, ndërsa buxheti vjetor i Shqipërisë në dispozicion të mbrojtjes është vetëm 103.3 milionë paund.

Sipas një raporti zyrtar të Fifa mbi reformimin e tregut të transferimeve, shuma e shpenzuar për transfertat ndërkombëtare u rrit nga 3.98 miliard dollarë në vitin 2013, në 6.4 miliardë në vitin 2017, me një rritje prej 60%. Në të njëjtën periudhë shuma e paguar nga klubet për agjentët, nga 218.4 milion dollarë në vitin 2013, u rrit në  446 milion në vitin 2017, duke pasur një rritje prej 104%. Agjentët po punojnë gjithashtu për të bërë të tyren një pjesë më të madhe nga kjo shifër e madhe parash që qarkullon në futboll. Në librin e tij “The Deal”, Jon Smith, thotë se prej 1,600 agjentëve në Angli, “vetëm rreth një duzinë qarkullon rreth 90% të parave”. Por, kjo duzinë agjentësh, ka shkaktuar një zemërim të madh tek klubet që janë gjithmonë dhe më të varura nga ata.

Italiani Mino Raiola, një nga “super-agjentët” më të famshëm, fitoi 41 milionë paund nga transferimi i Paul Pogba nga Juventus te Manchester United verën e kaluar. Kalimi i francezit në Manchester ishte një rast i jashtëzakonshëm. Në negocimin e marrëveshjes dhe kontratës së Pogba, Raiola përfaqësonte të treja palët, të dy klubet e lojtarin vetë dhe në fund u pagua nga të treja palët. Ky është vetëm një rast simbolik që tregon se sa shumë handikapë ka sistemi.

Koha për ndryshim! Fifa bashkë me bordin drejtues të Premier League kanë hyrë në një proces konsultimi për të parë mundësitë se si mund të kufizohet fuqia e agjentëve gjatë transferimeve. Propozimi bën fjalë që agjentët të kenë një llogari bankare në vendin ku ata punojnë dhe kanë futbollistë në ngarkim dhe paratë të mos shkojnë në një llogari jashtë vendit ku bëhet pagesa.

Bordi i Premier League ka propozuar që klubet të mos i paguajnë më agjentët, por ata të paguhen nga vetë lojtarët. Sipas këtij propozimi, do të ndaloheshin rastet kur një agjent përfaqëson njëkohësisht klubin dhe lojtarin gjatë një marrëveshje, siç ishte në kalimin e Pogba te Manchester United. Sipas një raporti të “The Times”, këto raste të një agjenti që përfaqëson dy palët janë në nivelin e 79% ditët e sotme. Edhe pse propozimi është zyrtar, sërish ka shumë pak agjentë që besojnë se kjo gjë do e zgjidhë realisht problemin.

Ka edhe një propozim tjetër që thotë se  agjentët do të mund të vazhdojnë të përfaqësojë klubet dhe lojtarët në të njëjtin transaksion, por vetëm në rastet kur agjenti përfaqëson klubin shitës të lojtarit. Kështu që agjentët nuk do të lejohen për të përfaqësuar klubet që blejnë dhe bëjnë shpenzimin. Disa zëra thonë se ky kompromis i mesëm mund të vijë edhe si pasojë e mungesës së stafit të kualifikuar në Fifa, që nuk mund të përballet me “Super agjentët”.

Hapat e parë janë hedhur, tashmë dhe për palët mbetet për t’u bërë pjesa më e vështirë, ajo që ka të bëjë me implementimin. Gjithsesi për pjesën më të madhe të njerëzve të futbollit çështja është shumë e paqartë. Ka edhe nga ata zëra që thonë, se kjo lëvizje nga Fifa vjen vetëm për fasadë, pasi qershorin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet presidenciale në këtë organizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë