Muzike

Agjentët e artistes së njohur: Sinead O’Connor ishte duke punuar për një album dhe turne të ri

Agjentët e muzikantes së njohur irlandeze, Kenneth dhe Carl Papenfus, thanë se ajo ishte duke përgatitur albumin e saj të njëmbëdhjetë.

Këngëtarja Sinead O’Connor nuk kishte fare mendime për vetëvrasje, por po punonte për një album dhe turne të ri. Agjentët e saj të shtypit e zbulojnë, si për të përjashtuar përfundimisht hipotezën e gjesteve ekstreme të këngëtares. Sinead O’Connor po punonte për krijimin e një albumi, të njëmbëdhjetin e karrierës së saj dhe të ekzistencës së saj të jashtëzakonshme dhe të torturuar, në prag të vdekjes së saj, në moshën 56-vjeçare, në një nga shtëpitë e saj në Londër.

Agjentët e muzikantes së famshme irlandeze, Kenneth dhe Carl Papenfus, e deklaruan këtë më 28 korrik, duke shtuar se ajo po planifikonte gjithashtu një rikthim të plotë: me një turne dhe ndoshta një film të bazuar në autobiografinë e saj.

Këngëtarja Sinead O’Connor

Fjalët e dy agjentëve duket se bien ndesh me dyshimet e një gjesti ekstrem, të ngritur nga shumëkush lidhur me çrregullimin e njohur bipolar të Sinead O’Connor dhe të ushqyer, në atë kohë, mbi të gjitha nga mesazhi plot dhimbje i shpërndarë në rrjetet sociale vitin e kaluar nga artistja pas vetëvrasjes së një prej 4 fëmijëve të saj: 17-vjeçarit Shane, i shtruar në një klinikë për probleme mendore.

Policia britanike bëri me dije më 1 gusht se vdekja e kantautores nga Dublini, e gjetur pa ndjenja në shtëpinë e saj dhe e shpallur e vdekur në vendngjarje nga një mjek, nuk u konsiderua e “dyshimshme”. Në çdo rast, autopsia është urdhëruar nga mjekësia ligjore për të verifikuar shkaqet e sakta.

“Sinead, - u thanë gazetarëve të dy agjentët, - ishte duke përfunduar një album të ri, duke vendosur datat e një turneu të ri për vitin 2024 dhe duke marrë parasysh mundësitë që ishin hapur në lidhje me një film që do të bazohej në autobiografinë e saj. Ajo kishte plane të mrekullueshme në të ardhmen”.

Agjentët më pas deklaruan: “Përjetësisht mirënjohës kujtimit të saj. U prehtë në paqe”, përfunduan ata, duke kujtuar qindra mesazhe ngushëllimi që vazhdojnë të arrijnë tek ata dhe familjarët e tyre nga personalitete të muzikës, kulturës, politikës dhe nga fansat e shumtë. /La Repubblica/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë