Gazeta Si-Në rishikimin më të fundit të saj (28 Janar, 2022), agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, bëri të ditur Ministria e Financave në një njoftim për shtyp.
Agjencia vlereson se rritja reale do të mbetet solide gjatë viteve të ardhshme, mesatarisht 3.5-4.3 përqind, e mbështetur fort nga konsumi i familjeve, investimet në infrastrukturë dhe ringritja në turizëm.Agjencia pret që Deficiti fiskal do të ulet në periudhën afatmesme, duke sjellë si rezultat rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në Presioni.
Gjithashtu vlereson se presioni i jashtëm do të jetë i menaxhueshëm duke pasur parasysh se rezervat valutore të vendit mbeten të larta dhe borxhi i jashtëm rritet vetëm në mënyrë të moderuar, duke mbështetur edhe stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë viteve të ardhshme.
Vlerësimi i agjencisë mbështetet nga perspektiva rritjes ekonomike të Shqipërisë, regjimi relativisht fleksibël i kursit të këmbimit dhe rezervat e forta valutore. Megjithëse konsolidimi fiskal ka të ngjarë të ngadalësohet, ne besojmë se deficiti i qeverisë do të ngushtohet në vitet e ardhshme.
Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe pret që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5-9.0 përqind në terma realë. Ndërkohë, duke pasur parasysh normën e ulët të kursimeve në ekonomi, agjensia beson se reformat e duhura në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e flukseve hyrëse të investimeve të huaja do të jenë kritike që Shqipëria të mbajë një ritëm më të lartë të konvergjencës së të ardhurave me homologët e rajonit dhe me eurozonën.
Agjencia konstaton se, krahas përpjekjeve për të forcuar balancën fiskale, autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, përfundon njoftimi i financave.
Në një reagim zyrtar Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e cilëson si lajm të mirë dhe thekson ndër të tjera se agjencia parashikon gjithashtu se deficiti fiskal do të vijë në ulje në afatmesëm, duke sjellë rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në.
‘Lajm i mirë! Agjencia prestigjioze S&P konfirmon vlerësim në “B+” dhe perspektivën “e qëndrueshme” për Shqipërinë. Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe parashikon që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5%-9% në terma realë. Edhe në periudhë afatmesme rritja reale do të mbetet e qëndrueshme në 3.5%-4.3%, e mbështetur fort nga konsumi familjar, investimet në infrastrukturë dhe gjallërimi i turizmit. Agjencia parashikon gjithashtu se deficiti fiskal do të vijë në ulje në afatmesëm, duke sjellë rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në.’- thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



