Treg

Agjencia e Energjisë: Lufta energjitike e Europës me Rusinë nuk ka përfunduar

Fatih Birol thotë se kontinenti ka përfituar nga dimri i butë, por ka 'shumë më tepër për të bërë' për të diversifikuar furnizimet

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka paralajmëruar se Europa nuk e ka fituar ende luftën e saj energjetike me Rusinë, pavarësisht një rënie të madhe të çmimeve të gazit, dhe u kërkoi qeverive të mbeten të fokusuara në ruajtjen dhe rritjen e furnizimeve.

Fatih Birol tha se ndërsa BE-ja kishte shmangur kryesisht një krizë të plotë energjetike pas armatizimit të furnizimeve me gaz nga Rusia, që dikur kishte ngjallur frikën e mungesës së gjerë dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, dimri i ardhshëm mund të jetë një sfidë më e madhe nëse kontinenti do të vuante mot më të ftohtë.

“Rusia luajti kartën e energjisë dhe nuk fitoi. . . por do të ishte shumë e guximshme të thuash se Europa e ka fituar tashmë betejën e energjisë,” tha Birol për Financial Times.

“Unë mendoj se Europa bëri një punë të mirë,strategjia e saj ka qenë një sukses i madh. Por të kesh besim të tepruar për dimrin e ardhshëm është e rrezikshme dhe është koha për të vazhduar dhe për të rritur përpjekjet për vitin 2023.”

Çmimet europiane të gazit natyror kanë rënë deri në 85 për qind që kur arritën kulmin mbi 300 euro për megavat orë në gusht, pasi përpjekjet për të siguruar burime alternative, ruajtja e furnizimeve ekzistuese dhe moti më i ngrohtë kanë lënë gaz të bollshëm në magazinë ndërsa fundi i dimrit po afrohet.

Kjo ka bërë që disa figura të industrisë të deklarojnë se Moska e ka humbur tashmë luftën energjetike që nisi në përpjekje për të dobësuar mbështetjen perëndimore për Ukrainën, ndërsa afrohet përvjetori i parë i pushtimit të plotë të Rusisë më 24 shkurt.

Birol tha se ndërsa Europa kishte “lëvizur malet” për të siguruar se mund të zëvendësonte energjinë ruse dhe kishte shkurtuar të ardhurat e Moskës me sanksione hakmarrëse ndaj naftës, ajo nuk mund të përballonte të humbiste fokusin në ruajtjen ose zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Disa nga arritjet e bëra në energjinë e pastër dhe reduktimin e të ardhurave të Rusisë janë të mira, por nuk është një zgjidhje e përhershme. Kemi pasur ndihmën e motit të butë. Fituam pak kohë, gjë që është jetike, por ka shumë më tepër për të bërë.”

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, majtas dhe Fatih Birol në Bruksel të mërkurën

 Birol ka paralajmëruar se Rusia mund të shkurtojë 20 për qind të furnizimeve të mbetura të gazit të paraluftës që ende dërgon në Europë përmes tubacioneve përmes Ukrainës dhe Turqisë, ndërsa konkurrenca për furnizimet me gaz natyror të lëngshëm nga deti ka të ngjarë të rritet ndërsa ekonomia e Kinës vazhdon të rihapet.

Kjo do ta bënte më sfiduese rimbushjen e objekteve europiane të magazinimit gjatë muajve të verës dhe do të testonte aftësinë e kontinentit për të shmangur mungesat, nëse dimri i ardhshëm do të ishte veçanërisht i ftohtë.

Birol paralajmëroi në nëntor se një dimër i ftohtë mund ta lërë Europën në vështirësi për të rimbushur vendet e saj të depozitimit të gazit deri në 65 për qind të kapacitetit deri në tetor 2023. Por që nga e hëna(20 shkurt) nivelet e depozitimit të gazit në Europë ishin tashmë në 64 për qind të kapacitetit, shumë më lartë se zakonisht për kohën e vitit.

Birol ka bërë presion për një transformim afatgjatë që jo vetëm shton burime të rinovueshme të energjisë, por gjithashtu siguron që një pjesë më e madhe e turbinave me erë ose baterive të prodhohet në Europë.

Ai është takuar dy herë në javën e kaluar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke argumentuar se BE-ja duhet të sigurojë që të mos bëhet më kurrë shumë e varur nga asnjë vend për furnizimet e tij me energji – ose zinxhirët e furnizimit.

 “Ne po hyjmë në një epokë të re industriale të prodhimit të teknologjisë së energjisë së pastër,” tha ai.

 “Dy fuqitë [në prodhimin e energjisë së pastër] janë Kina dhe SHBA – të mbështetesh në një vend të vetëm është gjithmonë një ide e keqe. Pra, nëse duam diversifikim, Europa është një kandidat i mirë.”

Çmimet europiane të gazit ishin ende dy deri në tre herë më të larta se përpara shkurtimeve të furnizimit të Rusisë, duke e lënë industrinë europiane në disavantazh.

“Ekonomia europiane është ende në këmbë – ajo nuk pa një recesion të madh ekonomik edhe nëse ata padyshim morën një goditje të madhe,” tha Birol.

 “Por çmimet janë ende shtatë herë më të larta se në SHBA; çmimet e energjisë elektrike janë tre herë më të larta se në Kinë”, shtoi ai. “Zgjidhja e qëndrueshme për sigurinë e energjisë duhet të bazohet në energjinë e pastër.”

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë