Nga Gazeta Si- Kuvendi ka votuar në parim projektligjin për krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale, një strukturë e re që do të funksionojë plotësisht nën juridiksionin e Ministria e Drejtësisë.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, drafti i jep ministrisë mundësinë të jetë autoriteti politik që udhëheq dhe mban përgjegjësi të plotë për mbikëqyrjen e sistemit penitenciar.
Në prezantimin në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Lamallari argumentoi se agjencia e re do të ketë si mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit të burgjeve, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm për të garantuar integritetin institucional.
Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kërkesën për autorizim nga prokurori përpara marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë, me synimin për të shmangur abuzimet e mundshme.
Një tjetër ndryshim lidhet me riformulimin e dispozitave për emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, ku përgjegjësia do të ndahet mes ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar qartë mënyra e emërimit të drejtuesit të vetë Agjencisë së re. Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme, Bledi Çuçi, theksoi se zakonisht drejtuesit e agjencive kombëtare emërohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri. Në rastin konkret, mbetet një paqartësi ligjore nëse fuqia e plotë që do të ketë Ministria e Drejtësisë mbi agjencinë përfshin edhe të drejtën për të zgjedhur drejtuesin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje