Vrasja e një ekstremisti grek në jug të Shqipërisë duket se i ka shërbyer lëvizjes naziste "Agimi i Artë" për të forcuar agjendën e vet politike, duke kërkuar ndalimin e vizave të punës për shqiptarët.
Më 28 tetor, 35-vjeçari Kostantinos Kaçifas hapi zjarr ndaj policisë në fshatin Bularat, por pas orëve të tëra arratie, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Ngjarja tragjike ka ngjallur debate rreth operacionit që çoi në vdekjen e Kaçifas, por edhe tensione mes komuniteteve shqiptare që jetojnë në Greqi rreth rolit që nacionalizmi po luan në përforcimin e zërit të ekstremistëve në Greqi.
Edhe pse ka kaluarr një javë nga ngjarja, tensionet vazhdojnë të mbeten. Krerët e "Agimit të Artë" u kanë bërë thirrje autoriteteve greke të ndalojnë dhënien e lejeve të punës për emigrantët shqiptarë në Greqi. Partia ekstremiste greke e njohur për retorikën e saj ksenofobe dhe për nxitjen e pushtimit të Shqipërisë jugore, të cilën mbështetësit e lëvizjes neo-naziste e quajnë "Epiri i Veriut", bëri po ashtu thirrje për përdorimin e forcës ushtarake si përgjigje ndaj ngjarjes në Bulurat. Ata kanë kërkuar gjithashtu që Athina zyrtare të heqë mbështetjen për pranimin e Shqipërisë në BE. Për analistët politikë në rajon është e qartë se "Agimi i Artë" po e përdor këtë ngjarje për rifitimin e terrenit të humbur, pasi disa muaj më parë lëvizja shpërtheu me tone raciste ndaj Shqipërisë në një seancë ku do të votohej memorandumi shqiptaro-grek për integrimin e Shqipërisë në BE.
Në seancën e mbajtur nga Komisioni për Çështjet e Jashtme, deputeti ekstremist Ilias Kasidiaris kritikoi ashpër edhe këngëtaren greke me origjinë shqiptare që mori pjesë në festivalin "Eurosong", si dhe futbollistët shqiptarë që luajnë në Greqi, të cilët sipas tij, sapo sigurojnë të ardhura veshin bluza me simbolet e UÇK-së dhe Shqipërisë së Madhe.
“Le të rrinë aty ku janë, njësoj si dikur kur nuk ishin askush dhe nuk kishin këpucë në këmbë. Nuk duhet të ketë asnjë bisedim me shqiptarët dhe asnjë negociatë pa marrë fund më parë politika anti-greke në Shqipëri. "Agimi i Artë" kërkon vendosjen e vetos për të ndaluar çdo diskutim me qeverinë e Edi Ramës për integrimin në BE”, ka thënë Kasidiaris.
Shumica e sulmeve agresive dhe manifestimet anti-shqiptare në Greqi duket se mbajnë “firmën” e "Agimit të Artë". Lëvizja neo-naziste pushtoi titujt mediatikë në Tiranë në vitet 2013-2014 kur me një gjuhë raciste dhe ksenofobe premtonte shfarosjen e shqiptarëve. "Agimi i Artë" nuk e ka ndryshuar politikën anti-ashqiptare që prej krijimit, duke u bërë protagoniste e një sërë aktesh dhune dhe paragjykimi kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Pas lajmit për vdekjen e Kaçifas, mediat greke zbuluan detaje rreth jetës së tij dhe ideologjisë politike që e çoi drejt sulmit ndaj policisë shqiptare. Kostandinos Kaçifas ishte lindur në Bularat, por ishte i stërvitur nga ushtria greke dhe thuhet se ishte një oficer i Forcave Speciale. Ai dyshohej gjithashtu se ishte një anëtar i grupeve paraushtarake të lidhura me "Agimin e Artë". Më 28 tetor, ambasadori grek në Shqipëri vizitoi Bularatin për të përkujtuar ushtarët grekë që vdiqën në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atë ditë, Kaçifas shkroi në Facebook: "të rinjtë e Epirit të Veriut nuk do të qëndronin më duarkryq. Të gjithë grekët që jetojnë në Epirin e Veriut duhet të dërgojnë një mesazh të qartë. Ose Greqia, ose vdekja”.
Grupet e të drejtave të njeriut në Greqi u kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë ngjarjen dhe gjithashtu të hetojnë mosmarrëveshjet e pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë autoritetet shqiptare i kanë bërë thirrje Athinës të dënojë sulmin dhe të mos "politizojë" incidentin. Ndërkohë që shumë ekspertë të politikës së jashtme mendojnë për lehtësimin e tensioneVE që ka ngjallur ky incident.
Konsullatat dhe ambasada shqiptare në Greqi janë subjekti kryesor i kërcënimeve, por jo pak shqetësime e pasiguri ka edhe mes komunitetit shqiptar që jeton në vendin fqinj.
Gjatë vitit të kaluar, Greqia arriti një marrëveshje të rëndësishme diplomatike me Maqedoninë, duke u dhënë fund tensioneve shumëvjeçare. Pavarësisht bisedimeve diplomatike, Greqia nuk ka arritur ende asnjë marrëveshje të rëndësishme me Shqipërinë, edhe sepse ky është një nga kushtet për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ka analistë në rajon që mendojnë se edhe ato pak suksese të arritura në muajt e fundit në këtë drejtim, mund të zhbëhen për shkak të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Incidenti në Bularat është vetëm një tregues i vogël i një problemi më të madh me të cilin ballafaqohen si Shqipëria ashtu edhe Greqia për shkak të populizmit dhe ideologjive nacionaliste, disa prej të cilave (në Greqi) janë të lidhura me doktrinën fetare. Sipas sondazheve të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ndikimet e jashtme dhe doktrinat fetare që shoqërojnë shpeshherë agjendat politike në Ballkan, mund të tensionojnë marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Në të gjithë Ballkanin, ka ende pak të dhëna se si grupet e tjera po shfrytëzojnë nacionalizmin dhe tensionet etnike për të përkeqësuar marrëdhëniet mes vendeve fqinje, por mungesa e vëmendjes ndaj këtyre grupeve mund të rrezikojë të gjitha arritjet diplomatike në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.