Partia Demokratike akuzoi Rithemelimin se ka bashkuar votat me qeverinë, enkas për të falur të korruptuarit. Gjithashtu, në një dalje për mediat nënkryetarja e PD, Oriola Pampuri kërkoi dorëheqjen e ministres së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj nga posti në lidhje me incidentin e bashkëshortit të saj.
Sipas Pampurit, ngjarja bëhet edhe më e shëmtuar sepse se nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga qeveria apo kryeministri Edi Rama për këtë ngjarje të rëndë.
“Rasti i bashkëshortit të ministres për Sipërmarrje Delina Ibrahimaj, i cili u mbajt i fshehur nga autoritetet përgjegjëse dhe u bë publik vetëm kur media e pasqyroi, nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit”.
Bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes është përfshirë në një incident me mjet prerës ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj. Ngjarja ka ndodhur në nëntor 2023, por u zbulua në media 5 muaj më pas, më 26 prill 2024.
Ndërsa deputeti i PD-së, Arbi Agalliu, duke iu referuar të dhënave të SPAK se janë liruar rreth 100 të dënuar nga GJKKO-ja, i kërkoi Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, të cilit i referohet si ‘Pitkini’ që ta pranojë se ka bashkëpunuar për amnistimin e të korruptuarve.
“Po tani a do thotë Pitkini që nuk do të amnistohet asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK? Fol Pitkin fol! Bëhu burrë! Fol e prano që PO, votova që të amnistoj të korruptuarit”.
SPAK ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga amnistia votuar në 4 prill në Kuvend.
Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tenderë apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.
16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit.
“Këtu duket mjaft qartë se kush kërkon një Shqipëri pa korrupsion dhe kush i mban shpresat tek korrupsioni për interesa personal. E pra, ky është rezultati i bashkimit të votave me mazhorancën i Pitkinit me shokë”, shkruan Agallu në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.