Me 76 vota për, 6 kundër asnjë abstenim, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN zgjidhet kryetar i Kuvendit.
Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.
Gashi u mbështet edhe nga VMRO-DPMNE, parti me të cilën grupimi politik VLEN do të formojë qeverinë e re në Shkup. Në fjalimin e parë si kryetar i kuvendit, ai falenderoi deputetët që e mbështetën. “Do të garantoj të drejtën e mendimit dhe fjalës personale si për deputetët e pushtetit ashtu edhe për ata të opozitës”, u shpreh Gashi.
Deputetët shqiptarë nga koalicioni Fronti Europian, tashmë në opozitë, u larguan nga salla përpara votimit.
Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit. Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.
Afrim Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.
Gashi ka lindur në Shkup më 9 nëntor 1977.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.