Analize

Afganistani nuk u la kurrë i qetë!

Afganistani ka një histori të gjatë dominimi nga pushtuesit e huaj, por edhe përplasje midis fraksioneve të ndryshme brenda vendit. I ndodhur në portën midis Azisë dhe Europës, kjo tokë u pushtua fillimisht Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Edhe pse një nga vendet më të izoluara në botë, sidomos pas mbylljes së Rrugës së Mëndafshit, Afganistani ka rënë gjithnjë pre e oreksit të fuqive më të mëdha. Luftërat e njëpasnjëshme kanë bërë që Afganistani të bëhet ai që është sot: një komb ende i përçarë midis fiseve tribale.

Për shkak të vendndodhjes së tij, Afganistani ka qenë një qendër e kulturave të ndryshme, duke bërë që një historian ta quajë atë “rrethrrotullimi i botës antike”. Ata që u vendosën përfshinin persët, nën Darin e Madh (522-486 pes); dhe grekët, të udhëhequr nga Aleksandri i Madh (356-323 pes). Shumë qytete të sotme janë ndërtuar mbi themelet greke.

Genghis Khan ishte pas Aleksandrit pushtuesi më i madh i Afganistanit. Por pas ikjes së tij, zona ishte pushtuar nga pushtues të ndryshëm arabë, duke bërë që Islami të zinte rrënjë dhe bëhej pjesë thelbësore e historisë së vendit.

Për qindra vitet e ardhshme Afganistani u luftua nga perandoritë e ndryshme indiane dhe persiane. Më në fund, në shekullin e 16 -të, një grup fisesh Pashtun mundën persët dhe konsoliduan perandorinë e tyre. Kjo ishte edhe koha kur Afganistani filloi të lulëzojë sërish. I ndodhur në qendër të Rrugës së Mëndafshit, Afganistani u kthye në një nga vendet më të rrahura nga tregtia, duke eksportuar mallra drejt Europës dhe Lindjes së Mesme.

Afganët ishin dikur mjeshtra të mëndafshit, metalit dhe punimeve të tjera me dorë dhe u kthyen në një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj rruge të rëndësishme tregtare. Megjithatë, me mbylljen e kësaj rrugë, ai u kthye ndër vendet më të izoluara dhe të varfra të rajonit. Edhe pse populli njihej për natyrën mikpritëse, ai nuk e ka pranuar kurrë kulturën, ritet dhe mbi të gjitha sundimin e të huajve.

Por për këta të fundit, ai është parë gjithnjë si “toka e askujt”. Fakti është se tre fuqitë më të mëdha botërore u vunë pas këtij vendi, duke zgjuar etjen për autonomi dhe pavarësi të fiseve afgane, të cilat në atë kohë nuk i bashkonte gjë tjetër veç fesë myslimane.

Ndërkohë që në një pjëse të botës po ndodhte revolucioni i shtet-formimit dhe konsolidimit të vendeve të reja, Afganistani u gjatë shekullit të 19-të përfshi në luftë me perandorinë më të madhe të historisë: atë britanike. Ajo u përpoq të vinte Afganistanin nën sundimin e drejtpërdrejtë dhe fillimisht marshoi dhe u prit me paqe. Por teksa panë se britanikët nuk kishin ndërmend të largoheshin, fiset tribale u bashkuan dhe thirrën një xhihad kundër ushtrisë britanike, duke nisur kështu luftën e parë Anglo-Afgane (1839-1842). Fuqia perandorake u përball me një nga humbjet me të përgjakshme. Ajo u përpoq përsëri në 1878-1880 ta gjunjëzonte vendin dhe këtë here Afganistani humbi shumë territore dhe kontroll të punëve të saj të jashtme ndaj Britanisë. Për ta mbajtur Rusinë larg dhe për të mbrojtur koloninë e saj indiane, Britania siguroi armë moderne dhe një subvencion vjetor për sundimtarët e Afganistanit. Një nga këta ishte Abdur Rahman Khan (1881-1901), i njohur si ‘Amir i Hekurt’ dhe ‘Unifikuesi i Afganistanit’. Ai krijoi një ushtri të fuqishme dhe hodhi hapat më të fortë drejt konsolidimit të shtetit. Ai ishte liberal dhe prezantoi një stil modern jete dhe edukimi. Por modernizimi ngjalli frikën se po humbnin autonominë dhe çoi në luftën e tretë anglo-afgane në 1919-21.

Kjo ishte një pikë kthese në historinë e vendit. Afganistani rimori kontrollin mbi punët e ti të jashtme dhe të brendshme, por ndryshimi që Britania ishte munduar të imponte aq shume erdhi nha brenda Afganistanit.

Amanullah (‘mbreti i reformave’) zgjeroi arsimin dhe i dha vendit kushtetutën e tij të parë. Ai ndërmori reformën e tokës, rregulloi taksat, u dha grave të drejta thelbësore. Nga kjo periudhë deri në vitin 1980, Afganistani pati një tjetër periudhë lulëzimi. Ai nuk u përfshi në asnjë nga luftrat botërore dhe u përqendrua tek rritja e ekonomisë vendase. Tre grupet më të mëdha të popullsisë patën një sërë përplasjesh me njëra-tjetrën, por moderinizimi ndihej dita-ditës. Afganistani ndërtoi marrëdhënie tregtare, shpesh të paligjshme, si me fqinjë mysliamnë ashtu edhe me ata aziatikë, duke u kthyer në një faktor kyc në rajon. Pas përfundimit të dy luftërave, Afganistani pa një bum investimesh si nga Rusia ashtu edhe nga SHBA-ja, të cilat po derdhnin në atë kohë “thasë me para” për rritjen e ndikimin në këtë rajon të Azisë. Dy superfuqitë po ndërtonin diga, universitete, rrugë, sisteme kulluese dhe fabrika.

Por kjo periudhe qetësie, e cila mund të kishte cuar në konsolidimin e një shteti të fuqishëm, si në vendet fqinje të Afganistanit, nuk zgjati shumë. Në vitin 1978, Rusia e kuptoi se vetmja mënyrë për ta vënë nën kontroll Afganstanin ishte ta pushtonte.

Partia politike komuniste, Partia Demokratike e Afganistanit (PDPA), mori kontrollin në Afganistan.
Grushti i shtetit u bë i njohur si Revolucioni Saur me udhëheqësin e partisë komuniste Nur Muhammad Taraki që mori pushtetin.

Regjimi miratoi ligje marksiste duke përfshirë ndalimin e mbulimit të grave dhe lejimin e tyre për të punuar. Megjithatë, ishte e paimagjinueshme për afganët në atë kohë, të ktheheshin brenda natës në ateistë.

Qeveria komuniste ishte gjithashtu e njohur për dhunën, duke përfshirë burgosjen dhe ekzekutimin e dhjetëra mijërave.

Administrata Carter në SHBA, ndërkohë, kishte filluar të mbështeste muxhahedinët afganë, në atë kohë luftëtarë rebelë që luftuan kundër Bashkimit Sovjetik. Pjesa më e madhe e mbështetjes për muxhahedinët u dërgua përmes Pakistanit. Lufta guerile dhe konflikti midis sovjetikëve dhe muxhahedinit afgan përfundimisht çuan në tërheqjen e Ushtrisë së Kuqe nga vendi. Lufta ishte e përgjakshme dhe i kushtoi Afganistanit qindra mijëra jetë. Ajo do të shënonte po ashtu kthesën më regresive në historinë e vendit.

Marrëveshjet e Gjenevës të vitit 1988 përfshinin një deklaratë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik të respektonin pavarësinë dhe sovranitetin e Afganistanit dhe Pakistanit dhe të përmbaheshin nga ndërhyrja. Sovjetikët vazhduan të mbështesin qeverinë komuniste në Afganistan deri në vitin 1992 ndërsa luftimet midis qeverisë dhe muxhahedinit vazhduan. Kombet e Bashkuara u përpoqën pa sukses për të gjetur një zgjidhje për një situatë të komplikuar më shumë nga ndikimi i jashtëm dhe lufta civile.

Kjo situatë detyroi sovjetikët të tërhiqeshin. Por gati 20 vite luftë, jo vetëm që rrënuan shumë nga ati që ishin arritur në Afganistan, por sollën në pushtet grupin më radikal islamik në vend: talebanët.

Nën sundimin taleban, u fshi çdo gjurmë e stilit perëndimor të jetesës.
Gratë dhe vajzat u ndaluan nga shkolla dhe fabrikat e punime me dorë, ku punuan kryesisht gratë, u mbyllën. Ato nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa burrat ose të tregonin fytyrën.

Ata gjithashtu lejuan që Al Kaeda dhe radikali saudit Osama bin Laden të vepronte në Afganistan. Kjo coi në probleme të mëtejshme ekonomike. Këshilli i Sigurimit i OKB -së vendosi sanksione ndaj talebanëve në 1999, duke këmbëngulur që grupi të dorëzonte Bin Ladenin.

Më 9 shtator 2001, kundërshtari më i madh i talebanëve Ahmad Shah Massoud u vra nga al-Kaeda në atë që tani shumë e konsiderojnë si një pararendës të sulmeve në Nju Jork dhe Uashington.

Gati 3,000 njerëz vdiqën në sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, duke shkaktuar një ndryshim dramatik të historisë së Afganistanit. Presidenti amerikan George W. Bush njoftoi pushtimin e tij.

Sulmet ajrore nga forcat amerikane dhe britanike filluan më 7 tetor 2001, dhe kryesisht konsistonin në shënjestrimin e talebanëve. Përfundimisht, një qeveri e re u vendos në dhjetor 2001 në Kabul me një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare për të ruajtur sigurinë.

Megjithatë, edhe pse hodhën poshtë një regjim sa të egër, aq edhe mesjetar, Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të shërojnë një sëmundje kryesore të Afganistanit: konsolidimin e një shteti.
Kjo është edhe arsyeja përse ushtria afgane kapitulloi disa ditë pas largimit të SHBA-së.

Elita politike mbeti përgjithmonë e përçarë dhe e korruptuar, e cila në vend të qeverisjes, angazhohet në politika ndarëse. As kërcënimet e donatorëve amerikanë dhe ndërkombëtarë për të zvogëluar ndihmën, as perspektiva e tërheqjes së ushtrisë amerikane nuk i kanë ndikuar politikanët afganë drejt unitetit kundër talebanëve dhe përmirësimit të qeverisjes.

Afganistani nuk arritur ende të ketë një traditë të shtet-ndërtimit apo të qeverisjes në kohëra normale sepse që nga mesjeta ka rënë gjithnjë pre e fuqive më të mëdha. Ai nuk i ka hyrë në “hise” askujt por të gjitha fuqitë botërore, kanë përfunduar, në një moment ose tjetër, duke u përzier në punët, jetën dhe historinë e afganëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë