Nga Gazeta ‘Si’- Është shtyrë sërish seanca paraprake për aferën Partizani, ku pritej të vendosej nëse dosja do të kalonte për gjykim ose jo, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët.
Shkak është bërë mungesa e avokatit të Fatmir Bektashit, Sokol Hazizi. Seanca e radhës do të mbahet më 18 prill, ora 09:30.
SPAK nisi hetimet për Berishën me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka dyshime se ka nxjerrë akte nënligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Për Berishën e Malltezin, por edhe 3 persona të tjerë u caktuan masa sigurie prej tetorit të vitit 2023.
Ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të zbatonte masën e parë të caktuar nga Gjykata e Posaçme dhe ndaj tij u caktua masa e dytë ajo e arrestit në shtëpi.
Pas qëndrimit në banesë për më shumë se 11 muaj, atij iu shfuqizua masa shtrënguese, por me vendim të Apelit të Posaçëm në janar të këtij viti iu caktua “detyrim paraqitje”.
Për fatin e dosjes së Sali Berishës do të vendosë gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila do të japë vendim nëse dosja do kalojë për gjykim ose jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.