Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyu për në datën 11 prill seancën paraprake, ku do të vendoset nëse do kalojë ose jo për gjykim dosja “Partizani” me 5 të pandehur, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar pët “korrupsion pasiv” në bashkëpunim. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit.
Rreth një orë më vonë, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-kryeministrit për përjashtimin e trupës gjykuese që do shqyrtojë rekursin kundër masë “detyrim paraqitje”.
Berisha kërkoi largimin e gjyqtarëve, Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj, ndërsa seanca do të mbahet më 14 prill. Në këtë masë, ish-kryeministri ndodhet që prej datës 3 janar me vendim të gjyqtarit, Engert Pëllumbi.
Ish kryeministri kërkon heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” me argumentin se nuk ka asnjë kusht apo kriter që të qëndrojë kjo masë.
Ndërkohë, avokati Genc Gjokutaj foli për mediat jashtë GJKKO pas shtyrjes së seancës, duke deklaruar se kërkesa e tyre është pushimi i gjykimit pasi sipas tij nuk ka çështje të hapur.
“Në seancë ishin kontestimet tona ndaj prokurorisë. Nuk kemi qëndrim variabël, jemi shprehur që në fillim. Mungon fakti penal, në këtë moment jemi të detyruar të kërkojmë pushimin e çështjes, sepse nuk ka çështje”, – deklaroi Gjokutaj.
Prej shtatorit të vitit të kaluar kur dosja u kalua për gjykim, seancat janë shtyrë njëra pas tjetrës me kërkesën e avokatëve të të pandehurve për t’u njohur me materialet hetimore dhe provat që prokurorët pretendojnë se kanë ndaj klientëve të tyre.
Aktualisht i vetmi në “arrest shtëpie” prej të pandehurve, është Jamarbër Malltezi, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u lirua në nëntor të vitit të kaluar pas një arresti 11 mujor.
SPAK dyshon se të pandehurit kanë bashkëpunuar për të kryer privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në shkelje të ligjeve duke përfituar nga pozita e Malltezit dhe lidhja e tij me Berishën në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.A kuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.