Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD, Sali Berisha është paraqitur në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.
Një grusht militantësh u mblodhën para SPAK në mbështetje të ish-kryeministrit, ndërsa ky i fundit sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumani.
“Siç jeni informuar, për 6 ditë më radhë qytetarët e Elbasanit, pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qytetit. Ky krim i rëndë mjedisor, si krimi rëndë ciklik në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni, se i ka shpallur krime të rënda. Ky mercenar i Ramës ka vendosur institucionin, në funksion fund e krye të partisë së krimit.
Të digjet fusha e plehrave në Vlorë, çdo tre muaj, të marrin vlonjatët gjer edhe dioksid, pa diskutuar efektet e mirëfillta kancoregjene, të gjitha këto nuk ekzistojnë se ky është peng i verbër i Ramës dhe Ulsi Manjës. Ka amnistuar dhe amniston krim monstruoz. Farsa 11 majit, ishte krim universal. Të gjitha, shkeljet e mëdha ligjore, amnistohen nga njeriu që njoftoi Troplinët të largohen pa urdhrit që erdhi nga prokuroria italiane, se është një shërbëtor i tyre”, tha Berisha.
Berisha zbuloi edhe mesazhin që ka lënë në SPAK.
“Dedikasa që unë i lashë aty Altin Troplinit është kjo që vijon: Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri”, tha Berisha.
I pyetur se përse nuk u paraqit në seancën e parë të gjyqit për aferën Partizani, Berisha tha se ishte në udhëtim, edhe pse theksoi se nuk ishte njoftuar sipas ligjit, ashtu siç u pretendua edhe nga mbrojtja në sallë.
“Unë njoftim zyrtar siç duhet nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Isha në një udhëtim, por e vërtetë është se njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur. Mos përsërisni pyetjet, janë avokatët ata që përcaktojnë të gjithë….njoftim zyrtar gjer tani nuk kam marrë,. Nuk them se s’kam marrë se është dhënë në media, por shkresë nuk kam marrë”, tha Berisha.
Mandej, i pyetur nga gazetarët ai i ka dalë në mbrojtje kompanisë ‘Bankers Petrolium’, e cila akuzohet se për 20 vite me radhë ka shmangur taksat duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.
Në prononcimin për mediat, pasi u paraqit në SPAK, Berisha tha se kontrata e kompanisë është firmosur para se ai të vinte në pushtet, ndërsa shtoi se gjatë qeverisë së tij, ka paguar çdo qindarkë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



