Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia këtë të enjte, ish-deputetin socialist Alqi Bllako të akuzuar për aferën e inceneratorëve.
Kërkesa e tij është pranuar nga gjykata, që masa e sigurisë “arrest në burg” të zëvendësohet me “arrest shtëpie”.
Edhe më herët ish-deputeti kishte kërkuar lirimin nga burgu duke argumentuar në gjykatë se nuk ka prova për fajësinë e tij.
I arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me aferën 4.9 milionë euro të inceneratorit të Fierit, ai ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e tij.
Në dëshminë para grupit hetimor, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se ka pasur për detyrë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.
Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.
Ai dyshohet se, në bashkëpunim ka përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.
Po ashtu, ish-deputeti dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.