Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Ish-çifti Meta-Kryemadhi, të cilët u divorcuan pak kohë më parë, janë hetuar për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim e fshehje pasurie.
Kryemadhit iu komunikuan akuzat në mesditë nga SPAK, ndërsa ish-presidentit Meta pak më vonë. Akuzat do t’i komunikohen edhe personave të tjerë të dyshuar në këtë dosje, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Kryemadhi tha pas daljes nga Gjykata e Posaçme se akuzohet për bashkëpunim, duke ironizuar edhe me një ndërhyrje mjekësore të kryer disa vite më parë. “Sipas SPAK-ut për heqjen e mitrës kam bashkëpunuar me Ilir Metën”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi gjithashtu se nuk kishte mundur të takohej me ish-bashkëshortin, Ilir Meta, pasi ai nuk ishte sjellë në sallën e gjyqit. “Dëgjova madje edhe një sherr mes prokurorit dhe drejtorisë së burgjeve. Por nuk e sjellin pa urdhrin e Edi Ramës”, tha ish-kryetarja e LSI-së.
E pyetur si ndihej tashmë që u mor e pandehur, Kryemadhi u përgjigj: “Sfidat për mua janë me opinionin publik dhe me zotin”.

Brenda pak ditësh, SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë, ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do kthehet pas për plotësim apo do të pushohet.
Deputetja e PL ndodhet në masën detyrim paraqitje, ndërsa Meta, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Kuvendi në “arrest me burg” prej 21 tetorit të vitit të kaluar.
Në një postim në Facebook, Meta sulmoi SPAK duke e quajtur hetimin ndaj tij një farsë të tejzgjatur, e duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme se është në shërbim të verbër të Edi Ramës.
“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre”, shkruan Meta.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare.
Episodi i parë ka të bëjë me kontratën për arkëtimin e borxheve të prapambetura, të CEZ, që u mblodhën nga kompania DIA, e Kastriot Ismailajt.
SPAK thotë se në kohën kur mbante postin e minisitrit të Ekonomisë, Ilir Meta, ka ndikuar drejt përdrejtë në procesin e zgjedhjes së kompanisë DIA-s, për të mbledhur borxhet dhe se ka fituar para rryshfet.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Isamialj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve”.
Në një tjetër episod përfshihen në paligjshmëri Meta dhe Kryemadhi për kontratën e fibrave optike. Ilir Meta ka qenë në detyrë si kryetar Kuvendi, ndërsa Kryemadhi deputete. SPAK thotë se dy bashkëshortët kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje.
“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”, – vëren SPAK.
SPAK thotë se Pirro Xhixha ka shfrytëzuar autoritetin si Kryetari i AKEP-it dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta e Kryemadhi, ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes.
Një tjetër rast është dhe kontrata e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimi, del se një pjesë e shumës prej 463 mijë USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik dhe se nuk është pasqyruar në bilancet të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SPAK përveç Metës dhe Kryemadhit përmend edhe mamanë e kësaj të fundit. Prokuroria thotë në njoftim se këta tre persona janë pronarë të një apartamenti dupleks në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.
Kjo banesë ka kushtuar 645 mijë euro. Një pjesë e tyre është paguar cash nga nëna e Monika Kryemadhit (Fatime Kryemadhi) në sistemin bankar, ndërsa pjesa tjetër është marrë kredi dhe është shlyer prej saj.
“Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”, – specifikon SPAK në akuzën e tij.
Gjithashtu, SPAK deklaron se Kryemadhi dhe Meta nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë euro. Nga këto shpenzime, rreth 87 mijë euro janë paguar në cash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.