Nga Gazeta ‘Si’- Sot (25 dhjetor) një grup studentësh u mblodh para selisë së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Beograd të Serbisë për të kërkuar akses në listën e votuesve në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.
Ata njoftuan se duan akses në listën e votuesve për ta kontrolluar atë, pasi organizatat vendëse dhe evropiane që vëzhguan zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor shprehën dyshime për rregullsinë e tyre.
Studentët njoftuan se do të presin deri në mesditë përgjigje nga autoritetet përgjegjëse dhe më pas do të njoftojnë se në cilat dy lokacione në Beograd do ta bllokojnë qarkullimin në rrugë, në shenjë proteste. Ata shtuan se bllokadat do të zgjasin gjashtë orë.
Bllokadave do t’i bashkohen edhe një grup studentësh nga Universiteti i Novi Sadit.
Gati 40 demonstrues u arrestuan gjatë një proteste të koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd, pasi një grup personash të maskuar tentuan të hyjnë në Kuvendin e Beogradit.
Gjatë protestës, disa persona thyen xhamat dhe dyert e ndërtesës, ndërsa policia brenda saj hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre.
Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) tha se incidentet në protestën e opozitës në Beograd të dielën janë shkaktuar nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.
“Autoritetet përdorën dhunën për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, tha SPN-ja.
Ata njoftuan se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Opozita ka protestuar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke pretenduar se ato janë vjedhur nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




