Gazeta Si – Reshjet e dendura të dëborës kanë goditur rrjetet e transportit (aeroporte, hekurudhore dhe rrugore) në Holandë.
Pas anulimit të afërsisht 500 fluturimeve të hënën në Aeroportin Schiphol, aeroportin më të madh të Holandës dhe një qendër strategjike për të gjithë Evropën, 300 fluturime të tjera janë planifikuar të anulohen për sot, më 6 janar. Trafiku është bllokuar që nga ora 12:00 e drekës së 5 janarit.
Problemi për transportin hekurudhor dhe ajror nuk është vetëm bora, por edhe temperaturat e ulëta dhe akulli.
Kompania holandeze hekurudhore NS ka shpjeguar se asnjë tren nuk do të lejohet të qarkullojë për sa kohë që temperaturat mbeten nën zero.
Edhe KLM është detyruar t’i nënshtrohet kushteve të motit dimëror që kanë paralizuar trafikun në një nga qendrat kryesore të tranzitit të Evropës. Në Holandë parashikohet borë gjatë gjithë javës.
Gjatë këtyre ditëve të kthimit nga pushimet, mijëra udhëtarë janë përballur me kaosin e udhëtimit ajror në shumë aeroporte.
Ndërprerjet në Gjermani janë gjithashtu për shkak të motit të keq. Në Aeroportin e Berlinit, 190 pasagjerë, kryesisht italianë, në një fluturim të “Ryanair” për në Romë, mbetën të bllokuar për shkak të anulimit të udhëtimit të tyre.
Në të gjithë Greqinë, mbërritjet dhe nisjet u pezulluan për të paktën dy orë të dielën, më 4 janar, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të mëtejshme, për shkak të një problemi teknik me frekuencat e radios. Ndërprerje u raportuan edhe në aeroportet italiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




