Kanë kaluar mbi dy javë nga dënimi i ish – Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, por Spak ka “harruar” ta shpallë atë në kërkim ndërkombëtar.
Interesimit të Gazetasi.al se përse nuk është vendosur emri i njeriut më të rëndësishëm të akuzës në listën e të kërkuarve, iu dha përgjigjja: “Po presim të përfundojë kërkimi kombëtar”.
Por në të vërtetë kërkimi kombëtar bëjnë me dije burime të sigurta policore të Gazetasi.al konsiderohet i ezauruar, sa kohë autoritetet policore gjenden përpara faktit të kryer. “Llalla rezulton të ketë dalë nga Shqipëria, pak ditë përpara se në datën 22 shtator të shpallej fajtor i formës së prerë nga një trupë gjyqësore e gjykatës së posaçme antikorrupsion”.
“Këto të dhëna rezultojnë të regjistruara në sistemin TIMS, që mban shënim çdo hyrje dalje përmes PKK, dhe Llalla ka dalë nga Rinasi me destinacion Italinë”, – u përgjigj një zyrtar i kufirit sipas të cilit mjaftonte një klik në TIMS për të zbardhur nëse ish prokurori i Përgjithshëm gjendej apo jo në Shqipëri. Por ndonëse të informuar për këtë largim, teksa zërat publikë e kishin njoftuar “arratisjen” zyrtarët e policisë së Tiranës insistojnë se “prezenca e OPGJ të komisariatit lokal ishte e pashmangshme, ata duhet të shkonin në banesën e Adriatik Llallës sepse kështu e kërkon procedura, mbasi vendimi dhe urdhri i prokurorisë në këtë rast SPAK duhet të bëhet i ditur në qendrën e banimit që është shtëpia” .
Mirëpo nga mbrëmja e 22 shtatorit kur një grup prej tre oficerësh firmosën procesverbalin e mosgjetjes, nuk ka më asnjë hap për gjetjen e ish zyrtarit të lartë, arrestimi i të cilit është më tepër simbolik.
“Ai ishte mes njerëzve më të rëndësishëm të akuzës, dhe SPAK mund të kishte vepruar ndryshe, menjëherë sapo prokurorët e SPAK konstatuan mosgjetjen dhe u gjendën përpara faktit të largimit, ata mund të kërkonin shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli” shprehet një tjetër zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit i cili insiston se policia nuk mundet të shpallë ndërkombëtarisht ish prokurorin e përgjithshëm pa e kërkuar prokurori i çëshjes, në këtë rast SPAK.
“Aktualisht Llalla është i kërkuar procedurialisht brenda kufirit, mbasi policia është e bindur që ai ka kaluar kufirin dhe nuk ka përse të pritet 3 muaj derisa të digjet ky afat. Asgjë nuk e pengon SPAK të kërkojë ndërkombëtarisht ish prokurorin e përgjithshëm të dënuar me dy vjet burgim dhe heqje për pesë vjet të të drejtës për të ushtruar funksione publike” shton i njëjti zyrtar që trajtoi shkresat dhe i përcolli ato pa asnjë efekt për arrestimin dhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
Por teksa ngjan se çdo gjë është një procedurë, ky afat mund të përdoret fare mirë nga ish- prokurori i Përgjithshëm. Në rastin më të mirë, ai mund të luajë me kartën që hodhi në fushën e gjykatës kur deklaroi se “ ishte sëmurë dhe ndaj kërkoj shërbim prove”.
Karta e të qenurit me problem shëndetësore mund të luhet në muajt në vazhdim prej avokatëve të tij në Shqipëri dhe jashtë, në vendin ku ai është larguar por që nuk konfirmohet nëse është Zvicra apo Hungaria. Nëse ish Prokurori i Përgjithshëm deri në dhjetor 2017 atëherë kur i përfundoi mandati pesë vjeçar, mundëson shtrimin në një spital jashtë vendit, dhe ndërkohë procedurat për shpalljen ndërkombëtare të tij lëvizin ngadalë, atëherë edhe dorëzimi i tij me pranga në duar tek drejtësia shqiptare do jetë mjaft i vështirë, dhe do të hyjë sërish në një hulli procedurash tek të cilat do të zotërojnë të drejtat e njeriut dhe garancitë kushtetuese. “E sigurt është që loja që po ndjek ish prokurori i përgjithshëm është shmangia e prangave në duar dhe kthimi në vend me këtë status, se si do ta realizojë ai këtë gjë, mbetet për tu parë” – tha një specialist pranë Interpol Tiranës që përshkroi se detyra e institucionit është thjesht ajo e një korrieri. “Sapo të mbërrijë kërkesa nga Spak ne e delegojmë pranë Interpolit qendror që së bashku me të dhënat emri , mbiemri, ngjyra e syve, mosha dënimi publikohen menjëherë nga qendra në Lion”. Por përse kjo nuk po ndodh do të kuptohet nga lëvizja e parë e avokatëve që pritet të dorëzojnë rekursin dhe që aty do të dalin hapur lëvizjet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.