Nga Liridon Mulaj – Nga Koreja e deri në SHBA, arti i tij ka gjetur vend mes galerive më të mëdha në botë. Emigracioni, kujtesa, zhvendosja, të gjithë këto procese janë lënda e parë e tij. Adrian Paci ka lindur në Shkodër dhe më pas është zhvëndosur në Milano, ku dhe jeton e punon. E ka nisur nga Shkodra për tu rikthyer aty herë pas here, sepse sipas tij, arti mund të lindë kudo. Festivali i artit pamor “ Art House” prej 10 vitesh e ka kthyer Shkodrën por edhe Shqipërinë në një nga destinacionet botërore të artit pamor e gjithashtu e ka rreshtuar Pacin si një nga kontributorët më të mëdhenjtë të zhvillimit të këtij arti në vendin tonë. Në këtë rrëfim për Gazeta “Si”, Adrian Paci rrëfen gjithçka, që nga pikturat e babait prej të cilit trashëgoi pasionin dhe profesionin e deri tek ndikimi i politikës në krijimtari.
Babai juaj ju ka lënë 6 vjeç, ndërkohë ju e vazhduat profesionin e tij, atë të piktorit. Në ato vëzhgimet e herë pas hershme të pikturave të babait tuaj, a zbuloni mesazhe të cilat mbase në kohë të ndryshme dekodohen në mënyra të ndryshme?
Marrëdhania me trashëgiminë artistike të tim eti asht shënjue fort nga mungesa e tiị. Unë jam rritë duke shfletue dosjet e vizatimeve të tij e duke marrë në dorë librat e tij të artit të cilët vetëm i shihja me vëmendje, mbasi ishin shumica në rusisht. Ndjenja që vazhdimisht më ka shoqnue në dialog me punimet e tij ka qenë ajo e përballjes me një shikim të vëmendshëm e me një prekje të ngrohtë e vibruese që linte gjurmë mbi letër apo telajo. Përtej lidhjes afektive mendoj se Ferdinand Paci përfaqëson një vazhdues të randësishëm të shkollës së Shkodrës në linjë me trashëgiminë e Kolombit, Rrotës, Janit etj. Dominimi i monumentalitetit të realizmit socialist me frymën e tij propagandistike, do ta zhvendosnin krijimtarinë e tij nga tonet e shkrifta e intime tek disa struktura ma impersonale e celebrative e po ashtu vdekja në moshen 35 vjeçare do ta ndërpriste në mënyre fatale rrugëtimin e tij artistik. Gjithsesi për mue, edhe sot, mbetë shumë e çmueshme sidomos trashëgimia e vizatimeve të tij.

Emigracioni dhe në njëfarë mënyre zhvendosja janë temat e preferuara për ju. A është emigracioni një gjurmë e pashlyeshme në formimin e mëvonshëm si individ fillimisht e mandej si krijues?
Emigracioni, spostimi, ndryshimi i koordinatave dhe pikave të referimit sigurisht që asht një eksperiencë transformuese në jetën e secilit. Unë jam përpjekë që të mos e shoh këtë eksperiencë thjesht si një “ temë që duhet trajtue” por ta trajtoj si një konstelacion ndjesish, emocionesh, vizionesh e figurash që do të më ndihmonin t’i jepja formë kësaj eksperience nëpërmjet shprehjes e gjuhës specifike të artit.
Punët e juaja janë ekspozuar në thuajse të gjithë muzetë më të njohur të artit bashkëkohor, që nga Amerika e deri Kore të Jugut. Si ndryshon publiku dhe qasja ndaj artit tënd në bazë të hapësirave të ndryshme gjeografike. Njësoj e percepton një korean me një amerikan, apo secili ka pikëvështrimet dhe ndjesitë e veta.
Jeta e punëve mbasi kanë dale nga studioja jotë asht një aventurë të cilen ti e sodit në pritje të një surprize. Takimi i punëve të tua me punë të tjera, takimi me hapsina të tjera apo me shikime spektatorësh të tjere, asht gjithmonë një eksperiencë transformuese. Në fakt asht kjo eksperienca që e mban gjallë punen. Autori asht si ai prindi që, megjithëse e ka gjenerue, nuk e dominon jetën e krijesës së vet por shpreson që ajo të vijojë në menyrë sa ma energjike e vitale rrugëtimin e vet. Sigurisht që shikues të ndryshëm, kultura të ndryshme kanë përceptime të ndryshme mbi punën. Mendoj se vlera e një pune qëndron në aftësine me qenë e hapun dhe stimuluese për lexime të ndryshme.

Ndërkohë lidhja juaj me Shkodrën nuk është shkëputur asnjëherë. Ju jeni shpesh prezent në Shkodër. Çfarë përfaqëson Shkodra për ju?
Shkodra asht qyteti ku kam lindë e ku kam afeksionet e mia të thella e të kahershme. Por Shkodra asht edhe një qytet që të tundon sa me historitë aq edhe me dramat e tij. Asht një qytet me mundësi e me mungesa, e mungesat janë territore stimuluese. Njerëzit e vlefshëm i ka të mveshun me një tis diskrecioni e sigurisht nuk i mungojnë as torollakët që, si kudo, edhe në Shkodër bërtasin ma shumë se të tjerët e i bijnë gjoksit duke e quejt “ djep kulture” e duke e thirrë “ Shkodërloce”.
Duke qënë së ju niseni nga mjedisi lokal për të shkuar të ai universal, a mendon se ka një fat të destinuar për artistin i cili lidhet kryesisht me vendin ku lind? Apo arti i madh lind nga çdo cep i botës?
Unë nuk i besoj shumë përcaktimeve “art i madh” apo “art i vogël” ose ma mirë me thanë jam i bindun se nuk ka asnjë art vërtet të madh që ka lindë sepse artisti ka vendosë një ditë me ba “ art të madh”. Sigurisht që gjana të vlefshme lindin në çdo cep të botës e mandej rrethanat i bajnë ato relevante e nganjëherë i vendosin në piedestale ku meritojnë vlerësime universale. Provincial nuk asht artisti që punon në periferi, por asht ai që, duke punue në periferi, krekoset skur asht në qendrën e botës. Koha jone i ka relativizue shumë nocionet e qendrës dhe periferisë.Sigurisht qëndra ka ma shumë pushtet se periferia, por periferia mundet me pasë ma shumë potencialitet sesa qendra e kjo nuk asht pak.

Festivali “ Art House” i themeluar nga ju është një hapësire e madhe prezantimi dhe recepetimi i artit pamor në Shqipëri, por sërish ky lloj arti mbetet i panjohur për një publik pak më të gjërë. A vetëmjaftohet arti bashkëkohor vetëm më një numër të caktuar njerëzish?
Fondacioni “Art House” që kena themelue në Shkodër me time shoqe, Melisa Ballata, ka organizue në këto dhjetë vite jete shumë biseda, shumë takime, punëtori, festivale, ekspozita. Të gjitha me synimin me e zgjanue e hapë dialogun me publikun. Arti bashkëkohor nuk ka një publik me një numër të caktuem njerëzish, por kërkon natyrisht një publik të vëmendshëm, kurioz e të ndjeshëm. Nëse këto cilësi krjojnë një farë filtri kjo me duket ma se e natyrshme. Nga ana tjetër nuk i besoj gjesteve snob apo pozave kinse intelektuale që vendosin barriera mes publikut dhe veprës.
A mund të jetë arti pamor bashkëkohor dhe art masiv?
Nuk mendoj se “ Arti masiv” asht një objektiv me u arritë. Ndoshta objektivi kishte me qenë masa e emancipueme.
Arti shpesh është pasojë e politikës dhe zhvillimeve të saj. A është politika sot ngacmuese për artistin?
Politika si territor i përpjekjeve njerëzore për me trajtue ekzigjencat individuale dhe kolektive, interesat, pasionet, vizionet njerëzore në mënyrën si me e banue botën, asht patjetër një territor ngacmues për artin. Politika si luftë për pushtet mes partive mund të jetë ma pak interesante.
Si e sheh zhvillimin e artit pamor në Shqipëri? Vitet e fundit ka nisma për ta zgjeruar fushën e krijimit por dhe të prezantimit nëpërmjet festivaleve dhe ekspozitave të ndryshme.
Mendoj se vitet e fundit ka një gjallni në skenën e pavarun ndërkohë që institucionet janë ende në pritje të strukturimit. Përveç Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, na sot nuk kena institucione publike të një niveli konkurues me skenën ndërkombëtare të artit. Ndërkohe që ka mjaft realitete të vogla por shumë dinamike që ofrojnë art të mirë e kerkim që meriton vëmendje e mbështetje edhe ma te madhe.

Një mendim për shndërrimin e vilës së diktatorit në një hapësirë të artit pamor. E kam fjalën për “Art-Explora” e cila e ka marrë vilën në përdorim për 10 vitet e ardhshme
Në 2016 kam qenë pjesë e një jurie që do vlerësonte disa projekte rinovimi të disa strukturave të randesishme në Tiranë e mes tyne ishte edhe vila e diktatorit. Asnjë nga projektet e atëhershme për vilen nuk ishte i përshtatshem. Para dy ditësh pata rast të vizitoj në Tirane vilen e rikonceptueme nën drejtimin e “Art Explora” dhe jam besimplotë që gjana të mira e të vlefshme mund të ndodhin në atë hapsinë aq shumë të ngarkueme për memorien tonë kolektive. Drejtuesja e projektit Art- Explora në Shqipni, Nita Deda, më dha përshtypjen se kishte gjithë ndjeshmënine dhe mirëkuptimin e kompleksitetit të asaj ndërtese dhe uroj shumë qe ai simbol i ndrydhjes së çdo lirie dhe forme të mendimit kritik të kthehet në një hapsinë ku pikerisht argumenti ndryshe, mendja e hapun, dyshimi, fantazia dhe kreativiteti do të kultivohen me kujdes e me pasion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.