Irena Beqiraj

Adoptimi i euros dhe një shpjegim përse ekonomia nuk funksionon si sipërmarrja!


Ideja "brilante" për të adoptuar euron në vend monedhës vendase me synimin që “t’u kursejmë qytetarëve 100 milionë euro” të harxhuara në shkëmbimet euro lek, më la të kuptoj që Z. Shehaj ka lexuar së fundmi ndonjë libër makroekonomie të shkruar në vitet 80.

Kujtoj këtu që në fjalimin e saj të famshëm në vitin 1983 Margaret Thatcher deklaroi se:  “shteti nuk ka burime të tjera parash përveçse ato që njerëzit fitojnë. Nëse qeveria kërkon të shpenzojë më shumë ajo ose do të marr borxh kursimet tuaja ose do t’u taksojë më shumë”!

Thatcher-i në këtë fjalim pohonte se financat e qeverisë funksionojnë njësoj siç funksionojnë financat personale. Kjo qasje mbi të cilën u ngrit edhe miti i qeverive të vogla, të cilat  për fat të keq kanë ekzistuar vetëm në premtimet politike, anashkaloi ose "fshehu" fuqinë unike të  qeverive, atë të emetimit të monedhës vendase.

Kur një qeveri shpenzon dhe merr hua në monedhën që ajo emeton, ky borxh nuk duhet të kuptohet njësoj si borxhi i individit, pasi nuk shoqërohet nga rreziku i mospagimit. Ky është edhe koncepti kyç i Teorisë Moderne Monetare e cila u zhvillua pas viteve 1990.

 Për ta kuptuar këtë po marr një shembull.  Në periudhën 2007-2009 Anglia edhe Spanja përjetuan një rritje të deficitit buxhetor nga 3% në 10%, e PBB-së po ashtu niveli i borxhit për të dy vendet ishte thuajse i njëjtë por norma e interesit e bonove të thesarit britanike 10 vjeçare në këtë periudhë u ul nga 5% në 3.6% ndërsa për bonot e thesarit spanjolle norma e interesit u dyfishua.  

Ndryshimi thelbësor midis Spanjës edhe Anglisë ishte se Anglia nuk ishte pjesë e unionit monetar edhe monedha e saj nuk ishte euro. Anglia shpenzonte edhe merrte hua vetëm në monedhën vendase paundin britanik e cila emetohet nga Banka Qëndrore e Anglisë. Ndërsa Spanja përdorte monedhën e unionit, euron.

Në periudhën 2007-2009 Banka Qendrore angleze veproi si huadhënës i fundit duke financuar deficitin në rritje të qeverisë angleze. Spanja nuk e ksihte një huadhënës të tillë pasi ajo ishte vetëm përdoruese dhe jo emetuese e euros. Spanja si kushdo nga ne mund të përdorë monedhën por jo ta emetojë atë, ndaj ishte e prekshme ndaj krizave të likuiditetit edhe rrezikut të mospagimit.

Ndaj investitorët nga frika e mospagimit, rritën kostot e humarrjes ( normat e interesit) për Spanjën. Po ashtu Greqia njësoj si Spanja ishte vetëm përdoruese e euros dhe jo emetuese e saj. Për të të financuar nevojat e saj ajo kishte dy mundësi ose do të rriste taksat ose do të merrte më shumë borxh. Në 2009 deficiti buxhetor i Greqisë ishte vetëm 15 %  i PBB-së por normat e të interesit për bonot e saj të thesarit u rritën nga 6 % në 35%.

E pra vendet, i) që kanë monedhat e tyre, ii) që marrin hua në ato monedha dhe iii) që operojnë në kurse këmbimi të luhatshme gëzojnë sovranitet monetar i cili u lejon një shkallë më të lartë të fleksibilitetit fiskal, edhe  për rrjedhojë më shumë autonomi  për të menaxhuar fatin e tyre ekonomik.

Sikurse një njëri e ka më të lehtë të ecë në dy këmbë, edhe ekonomia ka nevojë edhe për dy shtyllat e politik-bërjes edhe atë monetare dhe atë fiskale.

Është i rrezikshëm propozimi i Shehaj për "të prerë" një nga dy këmbët e politikave makroekonomike politikën monetare, pasi e lë ekonominë tonë vetëm me këmbën e keqpërdorur fiskale. Pas  kompromentimin që ju bë pjesërisht sovranitetit të saj monetar, duke marrë borxh në monedhë të huaj, ka mbetur pak fleksibilitet edhe tek politikat fiskale.

Si vend importues me një balancë tregëtare përsistente negative Shqipëria ka qënë gjithmonë e etur për flukse në monedhë të huaj për të balacuar deficitin e saj tregtar. Por disavantazhi i ekonomisë shqitare nuk ishte vetëm deficiti tregtar. Me rënien e produktivitetit që filloi të vihej re që prej 2015- ës rritja ekonomike u ushqye kryesisht nga  përdorimi i borxhit.

Me qëllim uljen e kostove të borxhit në rritje, socialistët vendosën të ndiqnin rrugën më të lehtë - të përfitonin nga normat shumë të ulta të interesit të tregjet ndërkombëtare, edhe intensifikuan marrjen e borxhit në euro . Në vitin 2021 kur filluan të shfaqesin presionet e para inflacioniste të parashikuara që gjatë pandemisë  borxhi në monedhë të huaj zinte më shumë se 45% të portofolit të borxhit të Shqipërisë i cilësuar ky nga ekonomistët si kufiri i rrezikut .

Inflacioni që po trokiste (edhe nuk vonoi të vinte) do të rezultonte me një zhvlerësim të monedhës vendase, të Lekut. Kjo do të rriste kostot e shërbimin të borxhit. Ndërkohë duke qenë se borxhi ishte në monedhë të huaj kryesisht euro, mundësitë e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në shlyerjen e detyrimeve ishin të kufizuara.

Që leku të mos zhvlerësohej por përkundrazi të vlerësohej duheshin rritur flukset e euros, dhe në këtë rast manovra ekonomike e ndjekur nga socialistët ishte nxitja e rrjedhjes së kapitalit të huaj në pasuri të paluajtshme. Blerjet e banesave nga jo rezidentët janë shpesh një temë shumë e ndjeshme e diskutimit publik.  Ndërkohë që këto transaksione  shpesh shihen si një shejnë që investitorët e vlerësojnë vendin si një destinacion premtues dhe solid investimi, ato fatkeqësisht nuk zvogëlojnë rreziqet e destabilitetit financiar përkundrazi përveçse i shyjnë në kohë i përkeqësojë ato.

Në fjalimin e tij "Teprica e kursimeve", Bernanke theksoi pikërisht ketë : “flukset e kapitalit në sektorë apo aktivitete ekonomike si banesat pa një kontribut në rritjen e qëndrueshme të produktivitetit sjellin një rritje të rrezikut. Shlyerja e borxhit të jashtëm bëhet më e vështirë nëse flukset e kapitalit çojnë në investime të larta rezidenciale dhe konsum të brendshëm (dmth. aktivitete pa përfitime të qëndrueshme të produktivitetit)”.

Kursimi i 100 milionë eurove mund te ishte prioritet nëse ekonomia do të funksiononte si sipërmarrja por nuk është kështu.

Jam e sigurt që këto rreshta nuk mund të ndikojnë në rezultatin që do të ketë Z. Shehaj në zgjedhjet e 11 Majit por,  uroj që të jënë një mundësi për të kuptuar se ekonomia nuk funksionon si sipërmarrja  edhe nuk mund të drejtohet dhe të trajtohet si e tillë. Mënyra më e mirë për të bërë një tranzicion i suksesshëm në sektorin publik është ta bësh këtë me përulësi .


Copyright © Gazeta “Si”