Kosova

Administrata Biden e prerë me Serbinë: Njihni pavarësinë e Kosovës

Për të dytën herë që nga ardhja në detyrë, Administrata e presidentit amerikan Joe Biden i ka kërkuar në mënyrë të prerë Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar një letër presidentit Aleksandër Vuçiç, ku ndryshe nga shkëmbimet e zakonshme diplomatike, ka shkruar me shkrim dore kërkesën për njohjen e Kosovës.

Në letrën që i ka nisur Vuçiç, sekretari amerikan i kërkon kreut të shtetit serb njohje reciproke me Kosovën. “SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjate. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, të qëndrushme dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë të shohë Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruan Blinken.

Vuçiç sapo ka marrë letrën nga Blinken e ka bërë publike për mediat por nuk ka komentuar asgjë në lidhje me kërkesën për njohjen reciproke të Kosovës.

“Unë e përgëzova atë për emërimin në një pozicion të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe besoj se ai gjithashtu kujtoi bashkëpunimin tonë. Ai madje shkroi diçka me dorë, kështu që ky është një lajm i rëndësishëm”, ka thënë Vuçiç.

Letra e Blinken vjen vetëm një muaj pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ia kujtoi presidentit serb qëllimin e Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, njohjen reciproke.

Biden i ka dërguar presidentit serb një letër me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ku e inkurajonte të ndërmerrte reforma dhe të “arrinte marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.

Por Serbia ka sfiduar presidentin e ri amerikan, Joe Biden për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se kjo nuk i është kërkuar Beogradit zyrtarisht në asnjë dokument. Vuçiç, ka thënë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që “njohja e ndërsjellë” mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por tha se është detyrim i tij të mbrojë interesat serbe.

Vuçiç shtoi se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke respektuar pozicionin e SHBA-së, por edhe të Rusisë dhe Kinës, si dhe të vetë Serbisë.

“Unë nuk do të lejojë që të poshtërohet Serbia dhe dikush të marrë gjithçka. Por, unë nuk do të gënjej popullin dhe të them se situata do të jetë e lehtë. Do të jetë gjithnjë e më e vështirë”, tha Vuçic. Serbia e quan dialogun e udhëhequr nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që nga viti 2011 teknik dhe refuzon të diskutojë për njohjen e Pavarësisë ndërkohë që Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trump për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane por deri më tani e vetmja që po zbaton anën e saj të marrëveshjeve është Prishtina zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë