Futbolli i bukur nuk vlen kur nuk shënon, ai nuk përkthehet në sukses pavarësisht se sa krijon. Futbolli i bukur mposhtet nga dëshira për të fituar dhe eksperienca për të rezistuar. Kështu mund të përkufizohen dy ndeshjet mes Inter dhe Barcelona-s në ½ e UEFA Champions League 2024-2025. Zikaltërit triumfuan në Finalen e parakohshme të këtij sezoni dhe prenë biletën e parë për Finalen e Mynihut, atje ku do ti arrijë njëra mes Paris SG dhe Arsenal që do të ndeshen në ½ finale e dytë, të mërkurën në mbrëmje (parizienët fituan të parën 1-0 në Londër) në “Parc des Princes”. Gjithçka pas 13 golave dhe 210 minutave të denja për të qenë historike. Kjo do të jetë Finalja e dytë në tre vitet e fundit.

90 minutat milaneze ashtu si ato katalanse filluan me këmbën e mbarë për zikaltërit. Lautaro Martinez pas kombinimit me Dumfries (21’) dhe Calhanoglu nga pika e bardhë (45’) pas faullit të fituar nga Lautaro Martinez, dërguan Inter-in në avantazhin e dy golave në pushim. Identik kthimi i katalanasve, këtë herë në pjesën e dytë. Garcia pas topit të marrë nga Martin (54’) dhe Olmo sërish pas krosimit të Martin (60’) vendosën barazpeshën pas kthimit nga dhomat e zhveshjes. Kur të gjithë mendonin se ndeshja do të shkonte në shtesë, Raphinha (87’) godet me të majtën dhe pas topit të kthyer nga Sommer, gjen golin e avantazhit me të djathtën.

5’ shtesë në përfundim të kohës së rregullt dhe një gabim në mbrojtjen e spanjollëve mjaftuan që Dumfries të gjente Acerbi-n në shtyllën e parë për barazimin 3-3. Ana psikologjike kaloi tek vendasit që me më shumë dëshirë gjetën avantazhin e 3 të sfidës kur Fratesit mori një top nga Taremi (99’) në aksionin e mjeshtëruar prej Thuram. Finte me trup, gjuajtje e saktë që la në vend dy mbrojtës dhe portierin mik. Deri në fund, Barcelona shtoi rastet e humbura, ashtu si në kohën e rregullt dhe atë shtesë. Yamal është Leader’i katalanas por ende shumë pak për ta udhëhequr drejt sukseseve të mëdha. Lewandowski? Edhe një herë tregoi se mungon në ndeshjet e deçizive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.