Futboll

Ademi zgjedh Zvicrën, lë pas interesimin e Kosovës dhe Shqipërisë

Kemal Ademi është një tjetër futbollist me origjinë shqiptare që vendos  të përfaqësojë Zvicrën. Futbollisti ka dribluar interesimin e kuqezinjve dhe të përfaqësueses së Kosovës duke zgjedhur helvetikët, një vendim që nuk ka më kthim pas.  24 vjeçari Ademi, i cili aktualisht është pjesë e Basel, kishte të drejtë që të zgjidhte plot 4 kombëtare, Shqipërinë, Kosovën, Zvicrën ku luan prej vitesh dhe Gjermaninë për shkak se ka lindur në Filingen.

Faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Zvicrës ka njoftuar se sulmuesi shtatlartë tani mund të luaj për Zvicrën dhe dosja e tij është pranuar nga qeveria e futbollit botëror. “Për të përfituar të drejtën e aktivizimit, Federata e Futbollit të Zvicrës dhe Ademi duhet të dorëzonin disa dokumente dhe arsye të qëndrueshme në FIFA. Pas shqyrtimit të aplikimit, është dhënë leja”, thuhej në njoftimin e SFV.

Ademi ka zhvilluar një sezon të suksesshëm me Basel, pasi në këtë edicion ka shënuar 10 gola, ka dhënë tre asiste në 30 ndeshje në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë