INSTAT ka raportuar se në vitin 2018, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore ka shënuar rritje me 17% ose me 2156 ton. Ekspertët e sektorit të peshkimit e shpjegojnë rritjen e sasisë së peshkut të zënë gjatë 2018-ës me formalizimin e sektorit.

Përjashtimi i kësaj kategorie nga akciza e karburantit që përdorin për anijet, ka sjellë deklarimin e sasive të zëna reale e mbi të gjitha të të punësuarve.
Të dhënat tregojnë që sipas kategorive, në vitin 2018, rritjen më të madhe vjetore, e ka pësuar kategoria “Molusqe”, ndërsa me rritje kanë rezultuar dhe zëniet nga kategoria “Akuakulturë”, “Ujërat e brendshme”, dhe nga “Peshkimi detar”.

Vetëm kategoria ujore “Peshkim bregdetar” ka pësuar rënie me 70,6 %, krahasuar me një vit më parë, pasuar nga kategoria “Peshkim lagunor” me 41,7 %.
Kurse sipas specieve kryesore për 2018-ën, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Açuga” me 24,4 % ndaj totalit, pasuar nga “Karkaleci i thellësisë” dhe “Merluci”.
Për sa i përket zënieve në ujërat ebrendshme, specia “Krap” ka përqindjen më të madhe të zënë ndaj totalit, me rreth 23,6 %, pasuar nga “Skorta” dhe specia “Karas”.
Flota detare
Të dhënat e fundit nga regjistri i flotës tregojnë se deri në vitin 2018 janë 632 subjekte të licencuara për aktivitet peshkimi. Flota vepron pothuajse plotësisht në Adriatikun e Jugut.
Janë 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë. Kjo tregon zhvillimin që po merr sektori vitet e fundit.
Flota detare sipas porteve të peshkimit
Në vitin 2018, porti me numrin më të madh të anijeve të liçencuara është porti i Durrësit, me 37,0 % të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 31,0 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga Porti i Sarandës me 16,0 %.
Portet e peshkimit të Himarës dhe Lushnje-Fier janë ato me përqindjet më të vogla të subjekteve të liçencuara për peshkim, përkatësisht me nga 2,0 %.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.