Analize

“Acari” rus dhe “zjarri” grek

Nga Aleksandër Marku - Pas një javë tensionesh mes Moskës dhe Athinës dhe anulimit të vizitës së ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov në kryeqytetin grek, duket se dy vendet kanë vendosur të ulin tonet dhe të “harrojnë” atë çka ndodhi. Për ata që kanë ndjekur historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, ishte diçka e pazakontë që Athina të dëbonte dy diplomatë të lartë rusë dhe të ndalonte hyrjen e dy të tjerëve, me akuzën se kishin bërë përpjekje për të minuar marrëveshjen që Greqia nënshkroi me Maqedoninë muajin e kaluar në Prespë.

Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias akuzoi Moskën se sillet me arrogancë dhe cilësoi qëndrimin e palës ruse shembull karakteristik të mosrespektimit të një vëndi të tretë. Madje në një intervistë të publikuar këtë të dielë ai u shpreh se ka ikur koha e diplomacisë së të qënit një “pulë e lagur”. Me zhvillimet e fundit Moska duket që është e zemëruar me Athinën, megjithëse për momentin nuk duket se dëshiron që ta çojë situatën në ekstrem, ndërsa të shumtë janë zërat që thonë se rusët konsiderojnë ambasadorin amerikan në Athinë, Jeffrey Paayt, si “nismëtarin” e kësaj sjelljeje të qeverisë greke.

Për më tepër, në një moment kur marrëdhëniet Athinë-Moskë dukeshin tepër të mira dhe shpesh herë shiheshin me një sy kritik nga vendet e tjera të BE-së. Por çfarë ndodhi që dy shtetet të cilat i bashkon besimi fetar ortodoks, traditat dhe një miqësi qindëravjeçare, të arrijnë në këtë fazë?

Kryeministri grek, Alexis Tspiras dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Influenca në Ballkan – “Thembra e Akilit”

Në fakt kishte disa muaj që para se të nënshkruhej marrëveshja e Prespës që qarkullonin zëra për një luftë të padukshme midis Moskës dhe Uashingtonit, që gjithnjë ka ekzistuar në rajon, për kësaj here dukej e përqëndruar në ish-Republikën Jugosllave. Athina ndonëse nuk pranonte, ndihej që kishte presion të madh nga SHBA që të përfundonte sa më shpejt marrëveshjen për emrin, në mënyrë që fqinji verior i saj të bëhej pjesë e NATO-s.

Në mënyrë graduale prej janarit, në mitingun e parë në Selanik dhe më pas në Athinë e në qytetet e tjera të Greqisë veriore, u pa se si u rrit një valë e madhe kundërshtimi nga grupe të caktuara, kryesisht të së djathtës ekstreme,  apo të disa grupeve të ashtuquajtura ortodokse, që shfaqën zëmërimin ndaj qeverisë Tsipras , me një reflektim të një “patriotizmi” të sëmurë, që çonte shpesh herë deri në konfrontime të dhunshme me forcat policore apo me grupet antifashiste. Nuk ishte rastësi që në mitingjet e fundit në Selanik, gjithnjë e më shumë dëgjoheshin thirrje kundër marrëveshjes së Prespës dhe e quanin “Thika në zëmrat e çdo antifashisti”.

E njëjta skenë përsëritet dhe në anën tjetër të kufirit, aty ku lufta politike në Shkup vazhdon tepër e ashpër mes qeverisë “Zaev” dhe opozitës, që mbahet fort pas figurës së presidentit Ivanov. Moska ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të kryeministrit Zaev i cili ju referua disa zërave, se ekzitonin video me persona që paguhen nga biznesmenë grekë filorusë për të shkaktuar protesta.

Pak a shumë Zaev “fotografonte” manjatin ruso-grek Ivan Savidhis me bizneset e tij në Greqinë e Veriut, si personin e Vladimir Putin që financonte grupet në fjalë. Gjithashtu flitej për një veprimtari të personave të caktuar në qytetet veriore të Greqisë si Aleksandrupoli, Veria etj.

Nuk është aspak e fshehtë dëshira e Moskës që Serbia dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë të jenë nën influencën e saj. Por që të arrinte deri në këtë fazë marrëdhënia me Athinën, askush nuk e priste.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe  Alexis Tsipras 

Marrëdhëniet ruso-greke

Në fakt, ftohja me Moskën ka filluar që në ditët e para të qeverisë Tsipras. Për shumë vetë atë ditë të prillit 2015 në kryeqytetin rus nuk harrohet shkëlqimi i fytyrës së disa prej ministrave të qeverisë së re të Aleksis Tsipras para takimit në Kremlin me Vladimir Putin. Midis tyre Panagiotis Lafazanis, Nikos Kotzias dhe Nadia Valavani që nuk kanë fshehur se qysh në të rite e tyre shihnin me adhurim modelin e lidershipit të vendit të madh.

Ishin muajt e zjarrtë kur Tsipras i sapoardhur në pushtet i kishte lënë në dorë të ministrit të tij kontraversiv Janis Varoufakis, negociatat me Berlinin e Brukselin, duke sjellë në paraskenë edhe mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona. Ndaj dhe vizita e Tsipras në Moskë dhe takimi me Putin, u prit me një sy kritik nga liderët europianë.

Ndërsa Athina shpresonte tek ndihma e Moskës në mënyrë që ti tregonte Eurozonës dhe FMN-së se kishte edhe alternative tjetër, një derë të hapur për të kërkuar ndihmë. Por nuk ndodhi saktësisht kështu. Vërtet atmosfera ishte e përzemërt, por acari rus kishte “ngrirë” rublat dhe në rezymetë e protokolleve u përmendën vetëm disa marrëveshje ekonomike midis dy vendeve dhe shpresa për përmiresimin e frymës së bashkëpunimit.

Prresidenti rus, Vladimir Putinn dhe Kryeministri grek, Alexis  Tspiras

Viti i Rusisë në Greqi

Pasi Athina ra dakord me BE-në për një paketë të tretë ndihme dhe Tsipras rifitoi zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2015, tashmë i shkëputur nga grupi “marksist filorus” në gjirin e partisë së tij, u duk se Moska ishte përsëri shumë larg nga Athina. Por klima ndryshoi përsëri me vizitën e presidentit Pavlopoulos në Moskë në 14-15 Janar  të 2016-s, ku përuroi fillimin e vitit kushtuar Greqisë dhe Rusisë, si dhe vizitën e presidenti rus Vladimir Putin në Athinë dhe në manastirin rus të Malit të Shenjtë në Halkidhiki në maj të po këtij viti.

“Vitet e fundit ka qënë periudhë e paparë e prosperitetit në marrëdhëniet ruso-greke” -shkruante këtë fund javë në Twitter ambasadori rus duke shtuar se “veprimet e palës greke, në këtë vit të 190 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve  dhe 25 vjetorit të Traktatit Themelor të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, kanë sjellë zhgënjim të madh në Kremlin”. Madje në 2016 u mbushën plot 1000 vjet të ekzistencës së rusëve në Manastirin e Shën Pandeleimonit, ose të ashtuquajturit manastirit rus.

Çfarë po ndodh?

Sipas shume analizave të mediave vendase, pala amerikane kishte shprehur pakënaqësinë e saj për shkak të përhapjes së madhe të bizneseve të manjatit rus Ivan Savidhis,  njëkohësisht president i Paok-ut, I cili nëpërmjet një shoqërie ku kishte aksione, morri pjesë në konsorciumin që bleu një pjesë të mirë të portit të Selanikut.

Me të njëjtin sy kritik amerikanët kanë pare edhe blerjene një kanali televiziv nga Savidhis, vetëm disa ditë pasi fotografia e tij kur hynte me pistoletë në brez në fushën e futbollit, bënte xhirron e botës. Për Uashingtonin çelësi i veprimtarisë ishte ish konsulli rus në Selanik, Aleksei Popov, ndërsa ky qytet ishte bërë një hapësirë ​​e përshtatshme për të zhvilluar aktivitetet e agjentëve, spiunazhit dhe inteligjencës ruse para marrëveshjes së Prespës.

Interes të veçantë paraqet rëndësia e faktorit rus me kanale televizive dhe njerëz që thurrin në çdo rast lavde për Vladimir Putin, ndërsa në të njëjtën kohë “personalitete”, të cilat në dekadat e mëparshme nuk linin rast pa vlerësuar me çdo mënyrë SHBA dhe “botën  e lire”, gjatë pesë viteve të fundit janë kthyer në filorusë të përvëluar, duke depërtuar me veprimtari të shumta në botën e biznesit të qytetit.

Kryeministri grek, Alexis Tspiras takohet ne Moske me Presidentin Vladimir Putin

Një prej tyre është edhe përfaqësuesi i kompanisë «AKTOR» në Greqinë eVeriut, Simos Panagiotidhis. Kompania e njohur edhe në Shqipëri, duket se akuzohet në IRJM qysh në kohën kur kryeministri Zaev ishte në opozitë, pasi ka korruptuar zyrtarë të qeverisë së mëparshme për të fituar një tender për autostradën me vlerë prej 270 milion euro, 40 milion euro me tepër se sa duhej, duke kryer edhe pastrim parash prej 28 milion euro.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në Shkup papritur, tre muaj më parë personeli i ambasadës ruse u rrit me 15 vetë më tepër, çka ka ngjallur dyshime tek qeveria “Zaev”, e cila ka urdhëruar edhe vëzhgimin e tyre dhe kontaktet që ata kishin.

Në këtë kontekts websaiti amerikan “Buzzfeed” flet për lidhjen e huliganeve nacionalistë të ekipit të Vardarit të Shkupit, si dhe të ultrasve të Paok-ut të Selanikut, të gjithë të “financuar” nga manjati ruso-grek Savidhis. Po ashtu thekson se çdo gjë përgatitej nga tre agjentë rusë në Shkup dhe katër të tjerë nga Sofia, të cilët përpiqeshin te rekrutonin zyrtarë ose të ndikonin tek forcat e armatosura dhe pjestarë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa gjithashtu nënvizon se janë dhuruar fonde për mediat lokale, si në gjuhën maqedonase, ashtu edhe në gjuhën shqipe, me synim përhapjen e informacioneve të reme dhe propagandave për forcimin e aspiratave ruse.

Gjithsesi Rusia nuk e ka fshehur kurrë që ishte kundër hyrjes së Shkupit në NATO. Edhe zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse e pohoi këtë hapur disa ditë më parë. Pavarësisht tensioneve, Athina nuk do të donte kurrë një prishje totale me Moskën.

Zëdhënësi i qeverisë greke Tzanakopoulos, duke iu përgjigjur ministrit të Jashtëm rus që foli për ndërhyrje amerikane në këtë çështje, ka theksuar se “Rusia është një partner i rëndësishëm i Greqisë dhe kjo nuk ndryshon nga incidenti i fundit. Sidoqoftë, ne duhet gjithmonë të kujtojmë se jemi një shtet sovran dhe kërkojmë si qeveri dhe si shtet, respektin e të gjithë partnerëve tanë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë