Nga Gazeta Si – Prej ditës së shtunë, vendi ynë po përballet me një mot të keq, me reshje shiu dhe bore, çka kanë shkaktuar problematika në disa zona, kryesisht në veri të vendit. Pas dëborës, pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga temperatura të ulëta, deri në -13 gradë celsius, të regjistruara në Qarkun e Dibrës. Kjo ka shkaktuar akull në rrugë në qytetin e Peshkopisë, Bulqizës, qarkun e Kukësit, Korçës etj. Në këto zona, raportohet gjithashtu se kanë qenë disa fshatra me mijëra abonentë pa energji elektrike. Nga dëbora, ka dhjetëra akse rurale të bllokuar.
Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se gjatë natës ka rënë intensiteti i reshjeve të borës në zonat veriore, por është rritur në Juglindje.
“Gjatë natës ka rënë intensiteti i reshjeve të dëborës në zonën Veriore dhe është rritur në zonën Juglindore si në Qafë Thanë-Korçë, ku në pjesën Qafë Thanë-Doganë ka pasur erë të fortë. Në Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë, në Dardhë dhe në Voskopojë temperaturat kanë qenë në ulje duke shënuar deri në -11 °C në zonat malore” shkruan ARRSH, duke shtuar se qarkullimi vijon pa probleme por drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Prej mbrëmjes të së shtunës në Qarkun e Lezhës janë ndërprerë reshjet e shiut dhe të borës. Ne zonat e thella të Mirditës si në njësitë Fan, Orosh dhe Selitë, trashësia ka arritur deri në 40 cm, duke sjellë bllokim të disa akseve rrugore të fshatrave që lidhin me qendrat e njësisë.



Situata në Qarkun Kukës është e qetë dhe pa reshje bore, të cilat i kanë lënë vendin ngricave. Në qytetin e Kukësit ngricat kanë krijuar shtresa akulli ne rrugët dytësore të lagjeve të qytetit si dhe trotuaret duke vështirësuar lëvizjen e qytetareve në orët e para të ditës se sotme. Nga bashkia po bëhet kriposja e rrugëve kryesore te qytetit te cilat janë te qarkullueshme normalisht. Nuk ka probleme me energji.
Rrugët nacionale të Bashkisë Kukës janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore.
Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar janë ndërprerë reshjet e borës në të gjithë Qarkun Dibër ndërsa temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero.
Problematike situata mbetet në zonat rurale të cilat janë të gjitha thuajse të izoluara për shkak se trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 centimetra në zonat e thella.
Sa i përket rrugëve nacionale ajo Skuraj-Burrel- Klos është e kalueshme ndërsa ditën e sotme është hapur edhe rruga e Arbrit.
Gjithashtu dhe akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë – Klos- Ulëz, janë të hapura. Aksi rrugor Peshkopi, Kala e Dodës, Kukës, lëvizja e mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Firmat e mirëmbajtjes së këtyre akseve rrugore po vijojnë në hedhjen e kriprës dhe pastrimin e rrugës nga akulli.
Teksa qarku i Korçës po përballet me reshje intensive bore, trashësia e saj ka shkuar nga 25 deri në 50 cm. Edhe përgjatë natës reshjet e borës kanë qenë me intensitet të lartë, shoqëruar dhe nga era e fortë. Aktualisht po punohet për të hapur rrugët e brendshme në fshatin turistik të Voskopojës, ndërsa rrugët lidhëse me Gjançin dhe Lubonjën, janë hapur dhe kalohen me zinxhirë. Sakaq, në majën e Mashkullorës bora ka arritur në mbi një metër trashësi dhe po punohet për hapjen e rrugës.
ARRSH thotë se qarkullimi për në zonën e Thethit vijon normalisht, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.

“Rruga është e pastruar, qarkullimi vazhdon normalisht, po punohet me zgjerimin e pjesës kaluese. Temperatura -1°C. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se situata paraqitet me qetë pas reshjeve të dendura të borës një natë më parë. Pelleshi shkruan se për shkak të ngricave mbetet problematike akse rrugore në Shkodër, Kukës, Dibër e Mirditë, ndërsa në Korçë rrugët janë të kalueshme me zinxhirë.
“Situata e krijuar nga moti, sot paraqitet më e qetë, pas ndërprerjes së reshjeve të shiut e borës dhe punës së pandërprerë të ekipeve në terren. Për shkak të temperaturave disa gradë nën zero, problematike mbeten ngricat në disa akse rrugore në zonat e Shkodrës, Kukësit, Dibrës e Mirditës. Ndërsa në Korçë akset janë të kalueshme me zinxhirë. Puna po vijon ende për kriposjen e rrugëve, ku ka prani të akullit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




