Gazeta Si – Katër punonjës të Universitetit Bujqësor të Kamzës në Tiranë janë arrestuar këtë të premte të dyshuar për abuzimin me një tender për plehrat kimike.
Prokuroria Tiranës ka kërkuar vendosjen e masës ‘arrest në burg’ për katër zyrtarët e universitetit, të cilët akuzohen për falsifikim, vjedhje e shpërdorim detyre.
Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, ata paracaktonin fituesin e tenderave, kryenin hyrje dhe dalje fiktive të mallrave në magazina, duke shpërdoruar detyrën.
Prokuroria pas përfundimit të hetimeve ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ për shtetasit:
1.A.R. lindur në Dibër dhe banues në Qendër Kamëz;
2.T.B., lindur në Librazhd dhe banues në Qendër Kamëz;
3.M.M., lindur në Korçë dhe banues në Kodër Kamëz; dhe
4.R.S., lindur në Dibër dhe banues në Kodër Kamëz.
Në prokurori është bërë një kallëzim nga një punonjës, i cili ka pretenduar se është detyruar të firmosë për një tender për mallra me vlerë 10.5 milionë. Ky kallëzim ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës dhe ka filluar hetimin.
Kallëzuesi ka qenë i punësuar prej rreth 10 vitesh si magazinier në Universitetin Bujqësor Kamëz. Aktualisht drejtori i tij është shtetasi A.R. Më datë 29.12.2021 i është komunikuar nga drejtori, për tu paraqitur në magazinë për të tërhequr dokumentacionin e datës 23.12.2021 mbi plehrat kimike dhe imputet bujqësore. Dokumentacioni kishte lidhje me një tenderim nga ana e subjektit Gjelbërimi sh.p.k. me pronar shtetasin F.Sh.
Sipas kallëzuesit, marrja në dorëzim e mallit sipas prokurorimit ishte bërë nga komisioni i përbërë nga shtetasit T.B., H.V. dhe K.P.
Kallëzuesi ka pretenduar nga drejtori i tij, se mallrat nuk janë në gjendje sipas procesverbaleve dhe ka marrë si përgjigje se malli do të jetë i pranishëm në magazinë shumë shpejt dhe se kallëzuesi duhet të firmoste daljen e mallit në mirëbesim dhe se kishte garancinë nga drejtori se ky mall do të ishte pjesë e inventarit të magazinës shumë shpejt.
Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë. Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë.
Dalja për këtë vlerë malli, sipas kallëzuesit është bërë nën trysninë e vazhdueshme të shtetasit A.R.
Kallëzuesi, nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2021, ka tentuar shumë herë të komunikojë me A.R., dhe persona të tjerë duke përfshirë dhe Rektorin e Universitetit Bujqësor Kamëz, emrin e të cilit sipas kallëzuesit, e ka përdorur shpesh A.R., si mbrojtje për situatën e krijuar dhe për mungesën e mallit në magazinë, për hyrjen dhe daljen fiktive të mallit.
Të pandehurit me veprimet e tyre aktive dyshohet se i kanë sjellë dëm interesave të shtetit, duke përvetësuar plehrat kimike në vlera të konsiderueshme dhe duke falsifikuar dokumentacionin për hyrjen dhe daljen fiktive të këtyre imputeve bujqësore dhe plehrave kimike në magazinat e Fermës Didaktike të Universitetit Bujqësor Kamëz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.