Drejtësia

Abuzoi seksualisht me të miturën, dënohet me 7 vite burg ish-polici

Gazeta Si – Ish-punonjësi i policisë Kol Kola është dënuar nga Gjykata e Lezhës me 7 vite burg me akuzën e tentativës së përdhunimit ndaj një vajze të mitur dhe kryerjes së veprimeve të turpshme me të.

Kola u arrestua në muajin maj të vitit 2021 për ngacmim seksual ndaj një 13-vjeçareje dhe gjyqtari Ilir Përdeda dha dënimin maksimal për të pandehurin, ndërsa për veprën penale “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare” mori pafajësi, pasi gjykata doli në konkluzionin se nuk ka element të veprës penale.

Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2021, kur Kol Kola ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e mashtroi se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë dhe e ka dërguar në një banesë në qytetin e Lezhës. Aty dyshohet se ka kryer veprime të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale.

E mitura fatmirësisht ka mundur që të largohet nga banesa. 13-vjeçarja u ka treguar familjarëve të saj dhe këta të fundit kanë bërë menjëherë denoncim në polici.

Policia e Lezhës ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, ku janë siguruar edhe pamje filmike dhe është arritur në përfundim se është e vërtetë që polici ka tentuar ta përdhunojë të miturën.

Ndërkohë, vetë i pandehuri i ka mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar ngjarjen një inskenim.

Kol Kola ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej shumë vitesh në disa zona të Qarkut të Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë