Prokuroria e Durrësit, me anë të një njoftimi të posaçëm zyrtar që bëri pasditen e sotme, thotë se nuk mund të publikojë emrat e personave të përfshirë në abuzimin seksual të Kavajës.
Nuk dihet kush ka kërkuar të publikojë në media emrat e vajzës së mitur dhe djemve të mitur të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Në deklaratë, Prokuroria shkruan se për shkak të natyrës së veprës penale, personit viktimë që është e mitur dhe autorët që janë të gjithë në moshën 16 vjeç, rasti trajtohet nga prokurorët e seksionit për të mitur.
“Sa më sipër në respektim të të drejtave të të miturve, për mosndërhyrjen në jetën private dhe në mospublikim e të dhënave që kanë të bëjnë me rastin në fjalë dhe në respektim të detyrimeve që parashikohen në dispozitat ligjore për trajtimin e të miturve, kërkojmë nga ana juaj mirëkuptimin dhe zbatimin e këtyre dispozitave ligjore”, thuhet në reagim.
Prokuroria siguron se në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë, ku e mitura pati marrëdhënie seksuale për disa javë rresht me disa nga shokët e klasës, se “rasti në fjalë po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”.
Ditën e sotme Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë burg për 7 adoleshentët e akuzuar për abuzimin seksual.
Adoleshentët akuzohen për marrëdhënie seksuale me të mitur. Pesë nga 7 të arrestuarit kanë mohuar akuzat e prokurorisë para trupës gjykuese, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por me dëshirën e saj.
Ndërkohë që adoleshenti i tetë në akuzë, i cili dyshohet të jetë protagonist i kësaj loje seksuale, është shpallur në kërkim nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




