Drejtësia

Abuzimi me tenderin për shkallën e zjarrfikëses në Durrës, GJKKO jep dënimet për zyrtarët e Bashkisë  

Nga Gazeta Si Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për zyrtarët e Bashkisë së Durrësit të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

GJKKO ka dënuar 6 ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit dhe 4 punonjësit e kompanive private, pasi akuzohen se kanë abuzuar me tenderin 7 mln euro për të blerë shkallë zjarrfikëse, të cilat nuk punonin dhe ishin jashtë funksionit.

GJKKO ka dënuar Adriatik Velajn me 11 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Muhamed Likaxhiun me 10 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Artan Tahon me 10 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Gjergj Markola me 10 muaj burg për “shkelje e barazisë në tendera”, Indrit Matmuja me 11 muaj burg për “shkelje e barazisë në tendera”, Riza Sulaj me 11 muaj burg për “falsifikim të vulave”, që të gjithë zyrtarë të Bashkisë Durrës.

Të tjerë të dënuar janë Albion Bushi, Elona Rami, Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., të cilët kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Ndërkohë Shoqëria R&R Group, është dënuar me gjobë 600 000 mijë lekë dhe i ndalohet të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike për dy vite. Po ashtu edhe  kompania Klosi – R Company sh.p.k., është dënuar me 600 000 lekë gjobë dhe i ndalohet të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike për dy vite, po me 600 000 lekë gjobë dhe 2 vite ndalim pjesëmarrje në prokurime tenderash publike.

Operacioni i SPAK u krye më 29 tetor kur 6 zyrtarë të Bashkisë Durrës dhe 3 punonjës të kompanive private u arrestuan dhe një tjetër u la e lirë me detyrimin për t’u paraqitur, pasi akuzohen për abuzimin me një tender 7 milionë lekë për blerjen e një autoshkalle për zjarrfikësen e Durrësit, por që pas blerjes rezultoi jashtë funksionit. Sipas SPAK këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin manipuluan garën në periudhën maj-qershor 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë