Drejtësia

Abuzimi me tenderët në Bashkinë e Tiranës, Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen ‘5D’

Gazeta Si – Pas mbylljes së hetimeve nga SPAK në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “5D”, ku të pandehur janë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha, Enton Punavia, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet ndaj të akuzuarve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët akuzohen për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash.

Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen në këtë proces për veprat penale të “korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash”.

Ndërkohë, Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia do të gjykohen për “shkelje të barazisë në tenderë”.

Në dosjen e SPAK thuhet se, “i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a dhe ish-Kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, kanë qenë pronarë ‘de facto’ të shoqërisë ‘5D Konstruksion’”.

Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore.

SPAK thekson se vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tenderë, duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020. 

Hetimet kanë zbuluar se në periudhën 2016-2018, kur Qato ishte në krye të Departamentit Mbështetës në UKT, shoqëria “5D” ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik 4 tenderë nga Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.

Nga hetimi, del se shumat monetare janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjendje cash në arkën e shoqërisë ose janë përdorur nga pronarët për të blerë pasuri.

Ky rast është vetëm pjesa e parë e dosjes “5D”, pasi çështja është ndarë dhe mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do marrë GJKKO sa i takon dy procedurave tenderuese që kanë të bëjnë me rikonstruksionin e palestrës së mundjes që ka qenë autoritet kontraktor KS Tirana me drejtoreshë Debora Keçin dhe nga ana tjetër rikonstruksioni i sheshit të parkimit “Selman Stermasi” dhe autoritet “Tirana Parking” me drejtoreshë Englantina Zëre. Të dyja janë marrë të pandehura për shkelje të pabarazisë në tenderë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë