Drejtësia

Abuzimi me fondet e BE, SPAK çon në gjyq me 6 akuza ish-ministrin Ilir Beqaj dhe disa persona të tjerë

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet e dosjes “SASPAC” dhe dërgoi në gjyq dosjen në ngarkim të ish-ministrit Ilir Beqaj (i pandehur edhe për çështjen e koncesioneve në Shëndetësi), si dhe 10 të tjerëve (2 nga të cilat, janë shoqëri tregtare private), të akuzuar për 6 vepra penale për shpërdorimin e fondeve të SASPAC të Bashkimit Europian.

Ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë kërkohet gjykim për 6 akuza. Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe fshehje të pasurisë.

Ndër të pandehurit janë edhe ish-bashkëpunëtorë të tij si Ermal Kurtulaj dhe përfaqësues të disa kompanive private, të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion aktiv.

Hetimet zbuluan se tenderët për disa konferenca të organizuara nga SASPAC në 2023 janë zhvilluar në mënyrë fiktive, me fitues të paracaktuar dhe procedura të manipuluara. Gjithashtu, Beqaj akuzohet për fshehjen e pasurisë, përfshirë prona dhe investime të padeklaruara.

Si pjesë e hetimeve, SPAK ka vendosur sekuestro mbi disa pasuri të pandehurve, përfshirë apartamente, llogari bankare dhe automjete. Procesi gjyqësor do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar mbi 20 mln lekë në valutë shqiptare, euro dhe dollarë, 3 automjete dhe aksionet e një kompanie private.

SPAK thotë se veprimet me fitime të parregullta të Beqajt dhe Kurtulajt janë të provuara direkt në dy raste, si dhe ka dyshime për përsëritjen e veprave deri në 9 raste me skemë të ngjashme.

Lista e të pandehurve dhe veprave penale, 6 akuza për Beqajn, 2 janë shoqëri tregtare

Ilir Beqaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim (2 herë) parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal kryer 8 herë; “Falsifikim i dokumentave”, nga personi që ka për detyrë kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal, e kryer 9 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143/3 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim”, e kryer 3 herë, parashikuar nga nenet 143/2 të Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal e kryer 3 herë.

-Të pandehurit e tjerë janë Ermal Kurtulaj, i emëruar nga Beqaj dhe gjithashtu bashkëpunëtor i hershëm i tij kur ishte ministër. Akuzat ndaj tij janë “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, (2 herë); “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim 8 herë, “falsifikim i dokumentave”, nga personi që ka për detyrë, kryer në bashkëpunim, kryer 9 herë; “mashtrim”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda 2 herë, “Mashtrim”, i kryer në bashkëpunim, 3 herë.

Gazmend Haxhia, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “mashtrim me pasojë të rënda”, kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim.

-Personi juridik shoqëria tregtare “Landëays International” sh.p.k, për “mashtrimi me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim, “falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, si dhe“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor”.

Alfred Nikolla, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “mashtrimit me pasojë të rënda”, kryer në bashkëpunim, “falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor”.

Elton Marini, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “mashtrimit” me pasojë të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “mashtrim” i kryer në bashkëpunim, “falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

-Personi juridik shoqëria tregtare “Nine Service Int” sh.p.k, akuzuar për veprave penale; “mashtrim” me pasojë të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “mashtrim”, i kryer në bashkëpunim, si dhe “falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Bjona Ziaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale; “mashtrim”, kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Bledar Leka, “mashtrim”, kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim i dokumentave”, i kryer në bashkëpunim.

Marinela Jazoj, “korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor”.

Mira Topçiu, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim më shumë se njëherë (8 herë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë