Bota

Abuzimi me fondet e BE/ Dorëheqje ministrash në qeverinë e Mitsotakis

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria greke e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis po përballet me një valë dorëheqjesh pas skandalit të fondeve bujqësore të Bashkimit Europian që ka tronditur politikën greke dhe ka rritur presionin ndaj partisë në pushtet.

Tre ministra të qeverisë dhe një zyrtar i lartë partiak dhanë dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve hetimore që lidhen me përdorimin jo të rregullt të fondeve nga Autoriteti grek për subvencionet bujqësore (OPEKEPE).

Ata që kanë lënë postet e tyre janë Ministri i Mbrojtjes Civile Yiannis Kefalogiannis, Ministër i Zhvillimit Rural Kostas Tsiaras, dhe Zëvendësministër i Shëndetësisë Dimitris Vartzopoulos.

Dorëheqjet dhe ndryshimet në kabinet vijnë në një moment kur dosja hetimore për këtë çështje ka kaluar në Parlament, duke përfshirë emra të qeverisë. Kjo situatë ka shtuar presionin politik dhe kërkesat për përgjegjësi.

 Qeveria ka njoftuar se emrat e ministrave të rinj do të shpallen menjëherë pas përfundimit të procedurave.

Hetimi i BE-së ka nxjerrë në pah mundësi të shkeljeve në shpërndarjen e subvencioneve bujqësore, duke përfshirë edhe kërkesa të dyshimta për grante që kanë kaluar filtrat e kontrollit.

Kjo ka vënë në qendër të kritikave jo vetëm ministrat e përfshirë, por edhe partinë qeverisëse Neë Democracy, duke rrezikuar imazhin e saj para zgjedhjeve të ardhshme. Për më tepër, disa deputetë janë përmendur gjithashtu në dokumente dhe mund të kërkohet heqja e imunitetit parlamentar për të lejuar hetime të mëtejshme.

Qeveria përpiqet të ruajë stabilitetin politik dhe besueshmërinë e saj në një situatë të ndjeshme, duke u përballur me krizën e fondeve dhe presionin e opinionit publik./ Kathimerini


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë