Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen e afateve të paraburgimit me 3 muaj për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn, të akuzuar për shpërdorimin e fondeve të BE, për çështjen “SASPAC”.
Kërkesa kishte për qëllim shtyrjen me tre muaj të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të caktuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 190 të vitit 2023.
Gjykata, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi zgjatjen e afateve nga data 4 janar 2025, duke siguruar vazhdimësinë e hetimeve.
Vendimi mund të apelohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sipas SPAK, ata dyshohen se kanë abuzuar me fondet e Bashkimit Europian me të paktën 8 procedura tenderuese, duke u dakordësuar për fituesin dhe më pas kryer në mënyrë fiktive procedurën për efekt dokumentacioni, si edhe kanë bërë manovra dokumentare, për të fshehur lidhjet e Beqajt dhe Kurtulajt me restorantin në zonën e Kalasë në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.