Drejtësia

Abuzimi me fondet e BE / Beqaj mbetet në qeli, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-ministrit për zbutje të masës së sigurisë

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ilir Beqajt për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg” lidhur me hetimet për dosjen “SASPAC”, duke e lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, njëherësh ish-drejtorit të SASPAC, kërkoi zëvëndësim mase me argumentin se nuk është marrë ende i pandehur nga SPAK dhe se nuk ka rrezik për t’u larguar nga vendi, duke qenë se Beqaj është treguar bashkëpunues.

Nëpërmjet avokatit të tij Ermal Yzeiraj, Beqaj ofroi në këmbim të zbutjes së masës edhe një garanci pasurore. Të gjitha këto shkaqe u rrëzuan si të pabazuara nga gjykata që la në fuqi vijimin në qeli.

Kërkesa e Beqajt për liri, erdhi pasi në procesin tjetër ndaj tij, atë për Koncensionin e Sterilizimit, akuza u rëndua, nga “shpërdorim detyre”, në “vjedhje, duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim si grup kriminal” me ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj.

Beqaj i kundërshtoi akuzat e reja, teksa në 24 janar, gjyqtarja e seancës paraprake do të dalë me një vendim për dosjen “Sterilizimi”.

Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve, për abuzimet me fondet e SASPAC.

Beqaj akuzohet për korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe shkeljes së barazisë në tendera. SPAK thotë se drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, njohur ndryshe si SASPAC ka abuzuar me fondet e Bashkimit Europian.

SPAK ka deklaruar se ish-drejtuesi i kësaj agjensie ka vepruar si urdhërues në të gjithë skemën e abuzimit në bashkëpunim të ngushtë me shtetasin Ermal Kurtulaj, ky i fundit vartës i Beqajt.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, 8 procedura prokurorimi për organizim konferencash të zhvilluara gjatë vitit 2023 janë dhënë në shkelje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë