Drejtësia

Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj mbetet në ‘arrest në shtëpi’

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi arrestin shtëpiak për Mirlinda Karcanaj, drejtoreshë e përgjithshme e AKSHI-t, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi kriminal.

E njëjta masë u aprovua edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës Hava Delibashi, ndaj së cilës adresohen të njëjtat vepra.

Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, gjykata ndryshoi qëndrim, duke i hequr masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por duke i lënë atë të pezullimit nga detyra. Në fuqi u lanë edhe masat ndaj tre biznesmenëve, të cilët kanë në dosje edhe akuzën e pastrimit të parave.

Zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi

Karçanaj ka mbërritur në GJKKO paradite e shoqëruar nga policia. Ajo akuzohet nga SPAK, për “shkelje e barazisë në tendera”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave nga organizata kriminale”.

Në GJKKO është paraqitur edhe zv.drejtuesja e AKSHI-t, Hava Delibashi, e cila gjithashtu është në masën e “arrestit në shtëpi”. 

Edhe zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme për konfirmimin e masës “pezullim nga detyra” e “ndalim i daljes jashtë vendit” nën akuzën se ka bashkëpunuar për të kryer një pengmarrje.

Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili (majtas) dhe Ergus Agasi (në rreth)

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale.

Sipas SPAK, Ismaili në bashkëpunim me biznesmenët e shpallur në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqirajn, ka marrë peng biznesmenin Gerond Meçe për t’i kërkuar këtij të fundit që të tërhiqej nga disa tendera të AKSHI-t si dhe të tërhiqte ankimet e bëra për procedurat tenderuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë