Gazeta Si – Punonjësit e policisë të arrestuar për favorizime në tendera në Malësinë e Madhe janë liruar nga qelia.
Ish-shefi i rendit, Saimir Rustemi dhe 12 efektivë të tjerë të policisë kanë fituar lirinë, ndërsa vendimi jashtë Gjykatës së Shkodrës është pritur jashtë me duartrokitje.
Turma me protestues i është turrur ish-efektivit, ndërsa ky i fundit i ka përqafuar dhe ata brohorsnin njëzëri emrin e tij.
Më herët këtë të diel, jashtë gjykatës qytetarë të ndryshëm me postera në duar protestuan në mbrojtje të Rustemit.
“Nderoni veten! Lironi shef Saimirin”, ” Shkodra do shef Saimirin Jo Kriminelët”, “Shef Saimiri, krenaria e policisë”, ishin disa nga mesazhet që ata mbanin në posterat e tyre.
Qytetarët shkodranë vlerësojnë figurën e Saimir Rustemit dhe kanë dalë në mbështetje të tij. Ata kanë deklaruar se e kanë njohur Rrustemin në rrethana tërësisht profesionale dhe e konsiderojnë një njollosje të emrit të tij.
Sipas protestuesve, ai ka qenë në qendër të disa operacioneve shumë të rëndësishme dhe e konsiderojnë se arrestimi i tij dhe kolegëve të tij është një njollosje e tyre.
Në deklarimet në polici, Rrustemi ka thënë se ka qenë pjesë e një grupi formal për firmosjen e rikonstruksionit të kësaj godine.
Ai ka theksuar se një shef krimesh nuk mund të ketë dijeni përsa i takon cilësisë së dyerve, dritareve, materialit të përdorur, por ai ka qenë pjesë e një grupi formal, të cilët bashkë me grupin teknik kanë pasur detyrën që të firmosin dhe ai ka bërë thjesht aktin e firmosjes.
Rrustemi ka deklaruar se nuk është në gjendje të përcaktojë cilësinë e materialit të përdorur për rikonstruktimin e godinës.



Denoncimi për këtë ngjarje është bërë kohët e fundit, edhe pse rikonstruksioni i komisariatit në Malësi të Madhe ka ndodhur rreth 5 vite më parë.
Nga hetimet, del se gjatë periudhës kohore 2020 deri në fund të vitit 2021, këta punonjës policie dhe punonjës të administratës civile pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e tenderave me vlera të vogla që janë zhvilluar nga kjo Drejtori.
Gjatë kryerjes së auditimit të procedurave të tenderimit për vitin 2020 dhe 2021,dyshohet se nuk kanë pasqyruar në mënyrë të qëllimshme shkeljet e kryera në lidhje me procedurat e prokurimeve kryer nga punonjësit përgjegjës të D.V.P Shkodër.
Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se punonjësja V.XH., me detyrë Specialiste pranë Sektorit të Buxhet/Financës në D.V.P Shkodër dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke përvetësuar shuma të ndryshme parash në periudha të ndryshme kohore, për vete dhe punonjës të tjerë të kësaj Drejtorie, me burim të ardhurat nga paga e punonjësve të policisë.
Gjykata e Shkodrës ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të arrestuarit, përveç Briland Mnela dhe Arsenida Hidri për të cilët është dhënë masa “detyrim paraqitje”.
Gjykata e Shkodrës kanë dhënë masat:
Saimir Rrustemi – arrest shtëpie
Luida Ujka – arrest shtëpie
Mustaf Ishmaku – arrest shtëpie
Xhavit Isufi – arrest shtëpie
Rudina Keqi – arrest shtëpie
Arsenida Hadri – detyrim paraqitje
Briland Mnela – detyrim paraqitje
Klement Tola – arrest shtëpie
Paulin Prendi – arrest shtëpie
Altion Basha – detyrim paraqitje
Armand Basha – arrest shtëpie
Rezart Prela – arrest shtëpie
Veronika Gjanaj – arrest shtëpie
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




