Drejtësia

Abuzime me tenderët, SPAK merr të pandehur kreun e Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri

Gazeta Si – Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK (Prokuroria e Posaçme).

Sipas burimeve, mësohet se ndaj Myzyrit rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “shkelja e barazisë në tendera publikë”.

Myzyri do të paraqitet të hënën për t’u marrë në pyetje tashmë si person i pandehur.

Ndërsa më herët ai është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme disa herë, por pa dhënë asnjë shpjegim apo deklaratë për mediat.

Ende nuk dihet për cilin rast dyshohet që Myzyri të ketë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Burime paraprake bëjnë me dije se marrja e tij në pyetje lidhet me ankimet e bëra mbi procedura tenderuese, ku dyshohet për marrëveshje të fshehta paraprake mes komisionit dhe firmave fituese.

Mësohet se mbi 20 praktika tenderuese janë në në verifikim nga prokuroria. Myzyri e mban këtë post që prej vitit 2021.

Po ashtu, në janar të këtij viti qeveria ka hapur garën për ta zëvendësuar Myzyrin, proces që ende nuk ka ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë