Gazeta Si – Me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka goditur një skemë korrupsioni në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku 24 zyrtarë të lartë dyshohen për manipulim të tenderëve publikë.
Një hetim i nisur tre vite të shkuara për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamzë ka çuar në pranga me urdhër të SPAK 5 persona, 10 në arrest shtëpie e 9 të tjerë në detyrim paraqitje, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialist IT.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje ligjore në procedurat e prokurimeve të vitit 2022, me vlerë rreth 90 milionë lekë.
Nga përgjimet dhe dokumentacioni i administruar, del se tenderët janë zhvilluar me kritere të manipuluara në bashkëpunim me operatorë ekonomikë të paracaktuar.
Masë sigurie “arrest në burg” është vendosur për Edmond Tërthorjan, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
E njëjta masë është caktuar edhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat I dyshuar për veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.
Për 10 persona të tjerë të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa për 9 të tjerë mes tyre edhe dy zëvendës rektorët, Ilir Kapajn dhe Romina Koton është vendosur masë më e butë, ajo e detyrimit për paraqitje.
“Nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) Lekë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjatë këtij hetimi janë evidentuar shkelje ligjore të zëvendësrektorëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si dhe përgjegjësit të Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin.
Gjithashtu gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.
Këta operatorë kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu.
“Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; R.K., dhe I.K., me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, B.B., me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., me detyrë Administrator i UBT-së. Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave”, – thekson SPAK në njoftimin për mediat.
Arrest me burg:
Edmond Tërthorja,
Amarildo Lleshi,
Mehmet Qoshja,
Altin Murto,
Piro Zoga,
Arrest shtëpie
Agim Sefa,
Arjan Buliqi,
Serafin Skënderi,
Ilir Kusi,
Dritan Laçi,
Azem Parllaku,
Artur Koleci,
Radion Dhromi,
Blenard Spaho,
Tedi Proda,
Detyrim paraqitje:
Enkeleida Sallaku,
Klara Jahollari,
Ilir Kapaj,
Erjola Kopali,
Klea Lekocaj
Romina Koto
Bejo Bizhga,
Etleva Shore,
Rezearta Dervishi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



