Drejtësia

Abuzim me tenderin e druve dhe pengim të zgjedhjeve në 2019, SPAK mbyll dosjen ndaj ish-kryebashkiakut të PD

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj bashkie që akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Kapri së bashku me Avdulla Canon, ish-zv.kryetar i bashkisë, Nexhmi Torra, ish-koordinator i njësive administrative po në këtë bashki, Enkeleida Kllomollari, ish-drejtore e qendrës arsimore në Pogradec, Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri, ish-punëtorë të mirëmbajtjes në drejtorinë arsimore akuzohen për një tender të kryer në vitin 2017 për furnizimin me dru zjarri për institucionet arsimore në territorin e Bashkisë së Pogradecit me një fond limit prej rreth 9.2 milionë lekësh.

“Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kapri, bashkë me shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri akuzohen për shpërdorim detyre edhe për mbylljen disa shkollave që ishin përcaktuar në vitin 2019 si qendra votimi në zgjedhjet vendore. Këta dy shtetas kanë mbyllur me kyç tre shkolla dhe një kopsht gjatë për të mos lejuar votimin.

“Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Eduard Kapri u zgjodh nga Partia Demokratike si kryebashkiak i Pogradecit në zgjedhjet vendore të 2015-s. Në 2019, si pjesë e aksionit të opozitës për të mos lejuar zgjedhjet vendore edhe në këtë bashki pati përpjekje për të bllokuar qendrat e votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë