Gazeta Si – SPAK ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci dhe 6 të pandehurve të tjerë, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni.
Sipas njoftimit zyrtar, ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Beci, akuzohet nga SPAK se kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare se ka shkelur ligjin në tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.
“Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit 69 milionë e 500 mijë lekë. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)”, njoftoi SPAK.
Nga hetimet ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Këto veprime, thekson SPAK, kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave, njoftoi prokuroria.
Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.
“Konkretisht, sipas SPAK, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se: Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k”, njoftoi SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik”, si dhe VKM-në “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




