Drejtësia

Abuzim me tenderët dhe korrupsion në zgjedhje, kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla paraqitet në SPAK

Gazeta Si – Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion, ku veç hetimeve për abuzim me tenderët, dyshohet se është nën akuzë edhe për korrupsion në zgjedhje.

Këtë të enjte, Memolla është paraqitur në SPAK, pasi sipas burimeve paraprake, po hetohet pas denoncimeve për abuzim me tenderët.

Bëhet fjalë për një hetim për pastrimin e qytetit, ku dyshohet se ka firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti i nëntorit 2019.

Gjithnjë sipas burimeve, kryebashkiakut Memolla i është komunikuar akuza edhe për korrupsion në zgjedhje nga SPAK.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022 në Bashkinë e Rrogozhinës në lidhje me një material audio.

Sipas këtij materiali audio, Memolla i kërkoi elektriçistit të zonës në Rrogozhinë që të mos i shkëpuste energjinë elektrike një zonje, e cila nuk kishte kryer pagesën e dritave, deri sa të kalonte muaji i zgjedhjeve.

Përveç tij, nën hetim nga SPAK mësohet se është edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli, i cili po ashtu dyshohet se ka abuzuar me tenderët.

I njëjti prokuror që ka nisur hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës, po heton edhe kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli.

Me nisjen e hetimeve, me urdhër të prokurorit, janë sekuestruar disa dokumente, që kanë të bëjnë me veprimet apo mosveprimet e zyrtareve lidhur me procedurat për të cilat janë kallëzuar.

Disa kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë kanë përfunduar të pandehur gjatë këtij viti sidomos për tenderët, si të denoncuar jo vetëm nga KLSH-ja, por edhe të referuar nga prokuroritë e zakonshme që ja përcollën kompetencën SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë