Drejtësia

Abuzim me tenderët / Dënohet me 2 vite e 8 muaj shërbim prove ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj

Gazeta Si – Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Por dënimi i ish-kryebashkiakes socialiste është konvertuar në 2 vjet e 8 muaj në shërbim prove.

Balilaj akuzohet se në cilësinë e kryetares, bashkë me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kanë favorizuar kompaninë “Genti 001” në tenderin me fond 6.7 milionë lekë.

Kjo kompani, nga viti 2019 deri në 2022 ka fituar nga Bashkia 32 procedura tenderimi, edhe pse është regjistruar për herë të parë në QKB në vitin 2022.

E njëjta kompani, sipas SPAK është favorizuar nga ish-kryetarja dhe anëtarët e KVO-së edhe në një procedurë tjetër tenderimi me vlerë 8.6 milionë lekë, teksa në një dalje publike njoftonte për fituesin, në një kohë që procedurat ende nuk ishin kryer.

Të pandehur në këtë dosje u morën edhe ish-zyrtarët e Bashkisë Patos, Vangjel Nushi, Boreta Murati dhe Arben Manoku për dyshimet se kanë falsifikuar dokumentet me një akt-ekspertimi të kryer për një nga tenderat ku kanë paraqitur rrethana të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë