Një skandal i madh duket se ka përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit. Sipas të përditshmes “Panorama Sport”, qeverisë së futbollit shqiptar i janë bllokuar llogaritë bankare, për shkak të një abuzimi me fondet e UEFA-s.
Llogaritë bankare të FSHF-së janë bllokuar javën e kaluar, sepse ka dyshime të forta për disa transaksione. Konkretisht, paratë e së drejtës televizive dhe shuma që UEFA ka akorduar për klubin e Tiranës për pjesëmarrjen në Kupat e Europës një vit më parë, nuk kanë shkuar në llogaritë e kryeqytetasve, por në llogari të tjera.

Tirana duhej të përfitonte gati 1 milion euro shpërblim, pas kalimit të dy tureve në Champions dhe arritjen në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë. Kjo shumë akordohet vitin pasardhës, sipas rregullave dhe derdhet në llogaritë e federatave përkatëse, që më pas ua kalojnë klubeve. Tirana duhej të përfitonte edhe 65 mijë euro nga e drejta televizive.
Tirana ndërkohë ka pasur një problematikë të njohur me borxhet e prapambetura dhe kjo ka bërë që llogaritë e saj të jenë të bllokuara. FSHF-ja sigurisht që ka qenë në dijeni të problemit dhe kështu Tiranës ia ka kaluar paratë e UEFA-s në rrugë të tjera, duke shkelur ligjin.
Përmbarimi më pas i ka kërkuar zyrtatisht sqarime FSHF-së për fondin e UEFA-s për Tiranën dhe atë të së drejtës televizive. Pasi nuk ka marrë përgjigje, është bërë bllokimi i llogarive edhe të FSHF-së. Tani pritet të mësohet versioni i FSHF-së në ldihje me këtë çështje vërtet të rëndë për futbollin shqiptar dhe institucionin që e drejton atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




