Njëri deputet abstenoi në ngritjen e komisionit hetimor për sterilizimin dhe check-up në shëndetësi ndërsa tjetri për nxjerrjen e të dhënave të TIMS.
Erion Brace dhe Petro Koçi kanë shpjeguar votën e tyre një ditë pas votimit në bllok të dy komisioneve hetimore nga grupi i tyre parlamentar.
“Në fakt isha kundër, por respektova disa rregulla të grupit. E para, jam kundër hetimit politik për çështje që heton ligjërisht, penalisht, ka ngritur e komunikuar akuzë, ka bërë e marrë përgjegjës-madje duke i dërguar në burg SPAK! Hetimi politik i disa deputeteve nuk mund të rihapë e konkurrojë hetimin penal te SPAK. Është përpjekje e përditshme e Sali Berishës Delegjitimi nga ballkoni, i SPAK, në një linje me këtë qëllim është hetimi politik i kërkuar nga grupi i tij!...”, tha ndër të tjera Braçe
Petro Koçi në anën tjetër e lidhte votimin me arsye teknike dhe jo politike.
“Abstenova, se para se të niste votimi i projektligjeve dhe projektvendimeve, mora fjalën për procedurë dhe thashë që kur të vijmë te komisioni për TIMS kam thënë që ata që do jenë pjesë e këtij komisioni duhet të jenë me certifikatë sigurie. Salianji është anëtar i komisionit të sigurisë, por në momentin që në atë komision administrohen informacione të klasifikuara ata nuk mund të kenë kontakt me informacione të klasifikuara në momentin që s’kanë certifikatë sigurie.
Duhet të bëhet kujdes që në procedurat e funksionimit, në momentin që do ketë kontakt me të dhëna sensitive, atëherë ata individë që s’kanë certifikatë sigurie duhet të shmangen. Janë çështje që kërkojnë disiplinë shumë të rreptë, sepse nëse këto kritere shkelen atëherë do mbahet përgjegjësi penale”, tha Koçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.