Analize

Abazoviç, shqiptari 35-vjeçar që ka në dorë të ardhmen e Malit të Zi

Edhe pse e arritën qëllimin e tyre për të fituar dy mandate, dy koalicionet shqiptare në Mal të Zi nuk do jenë ato që do të thonë fjalën e fundit për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, në këtë garë të ngushtë mes partisë  në pushtet të presidentit Milo Gjukanoviç dhe opozitës pro-serbe, fjalën e fundit do ta thotë një shqiptar: Dritan Abazoviç

Ai nuk vjen nga një parti shqiptarë, por udhëheq një forcë politike që ka ardhur duke u fuqizuar dita-ditës në Malin  e Zi.  Ai është kryetar i grupit politik URA, e cila është kryesisht e përbërë nga joshqiptarët dhe ka fituar 4 mandate. Në këto zgjedhje ai ka hyrë me platformën në gjuhën serbe “Crno na Bijelo” apo “E zeza në të bardhë”.

Abazoviç është sot njeriu që mund të prishë balancat e pushtetit në Mal të Zi pasi as opozita pro-serbe dhe as Gjukanoviç nuk mund të formojnë qeverinë e ardhshme të vendit fqinj pa të dhe partinë e tij. Megjithatë, surprizë nuk mbetet vetëm pozicioni kyc në të cilën gjendet kjo parti, por edhe vendimi se më kë do të formojmë koalicionin: Gjukanoviçin apo pro-serbet.

Në deklaratat e tij të fundit Abazoviç ka dalë haptazi kundër presidentit Gjukanoviç, duke thënë se ka ardhur koha që ai të rrëzohet nga pushteti. Edhe pse në Shqipëri, Kosovë, Preshevë apo Maqedoninë e Veriut është një figurë fare pak e njohur dhe në Mal të Zi e një pjesë e cilësojnë si “tradhtar”, Abazoviç është shumë popullor mes shqiptarëve dhe kryesisht në qytetin e lindjes Ulqin, por edhe në Malësi, si dhe në Plavë e Guci.

Abazoviç (Abazi) është kthyer një nga figurat kryesore të opozitës që kërkon largimin e Gjukonoviçit. Ai e cilëson veten si armiku më i betuar i tij, duke thënë se nuk është kundër NATO-s, nuk është serb dhe është pro-perëndimor.

“Jam dhe kam qenë pro anëtarësimit në NATO, dhe integrimit në Bashkimin Europian. Këtë përkrahje e kam dhëne në sektorin civil, në skenën politike, madje dhe në intervista mediatike.

Nuk jam përkrah opozitës që kërkon mos hyrjen në NATO, po jam pjesë e opozitës e cila në fakt është e larmishme, në të cilën ka dhe parti që janë kundër hyrjes në NATO, çka dhe është normale në një sistem demokratik. Po ta kishim të gjithë te njëjtin mendim për çdo pyetje atëherë do të ishim ende në sistemim komunist me një parti”, deklaronte ai në një intervistë disa javë përpara zgjedhjeve.

Në një seancë parlamentare disa vite më parë, ai e sulmoi ashpër Gjukanoviçin duke e akuzuar për lidhje me mafian dhe krimin e organizuar, deklarata që morën vëmendjen e gjithë shtypit malazez.

Në një intervistë të dhënë se fundmi, ai tha se votat e tij do të bëjnë diferencën dhe e cilësoi veten si  personi që do të bëjë edhe ndryshimin e lojës. Ai tha se ka pasur shumë sulme, edhe prej partive nacionale shqiptare, që sipas tij,  nuk duan të pranojnë që një shqiptar mund të përfaqësojë në Malin e Zi në një nivel më të lartë.

Ai ka siguruar se me Qeverinë e re të Malit të Zi,  nuk ka për të pasur ndryshime të politikave të jashtme, dhe se do të bëjë koalicion ‘vetëm ata që janë të gatshëm të qeverisin me ekspertët”.

Kush është Abazoviç?

Ai lindi në vitin 1985 në Ulqin në një familje shqiptare. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviç u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Po në Sarajevë, ai përfundoi doktoraturën  në Fakultetin e Shkencave Politike.

Në vitin 2011, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara ndërsa mori pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Nga viti 2010 deri në 2012, ai ishte Drejtori Ekzekutiv i Televizionit Teuta (në Ulqin, Mali i Zi). Nga viti 2010 deri në vitin 2012, ai ishte Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Mogul në Ulqin. Në vitin 2010, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Që nga viti 2010, ai ka punuar si mësues i shkollës së mesme në Ulqin, duke dhënë mësim për Komunikimin dhe historinë e fesë.

Ai flet rrjedhshëm gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe. Më 2017, ai ka nënshkruar Deklaratën për gjuhën e përbashkët të malazezëve, kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve.

Si u bë pjesë e politikës në Mal të Zi?

Abazoviç ishte një nga themeluesit e partisë politike ‘Mali i Zi Pozitiv‘ në 2012.

Në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi të vitit 2012, partia fitoi 7 nga 81 vende, duke e bërë Abazoviçin anëtarin më të ri të Parlamentit të Malit të Zi. Në vitin 2014, pas një përçarje në parti, Abazoviç u largua nga‚ Mali i Zi Pozitiv‘, duke shërbyer si një deputet i pavarur përpara se të bashkohej me Aksionin e Reformës së Bashkuar (URA) të  themeluar në 2015. Ai aktualisht është president i URA dhe një nga dy përfaqësuesit e saj parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë